Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur në Kuvend duke sqaruar planet e qeverisë për të siguruar më shumë doza vaksinash për të vijuar procesin e vaksinimit anti Covid në vendin tonë. Manastirliu theksoi se e konsiderojnë plan ambicioz që kanë arritur të garantojnë 1.6 milionë doza vaksina dhe po punojnë për të garantuar kontrata të tjera dypalëshe. Ndër të tjera theksoi se pritet që procesi i vaksinimit për ekipet shëndetësore të përfundojë brenda 2 javëve të para të marsit.
Manastirliu: Në orët e ethshme kur ishim pranë finalizimit të kontratës së Pfizer në fillim të këtij ishte thelbësore që të veprohej shpejt për të garantuar vaksinat anti Covid. Një pandemi si kjo që vjen një herë në shekull nxjerr në pah nevojën e përshtatjes së legjislacionit për të mos krijuar pengesa artificiale kur kërcënohet shëndeti publik, por duke ruajtur të gjithë parametrat e produkteve që hyjnë në vendin tonë.
Nuk po ndalemi për asnjë moment për të garantuar rritjen e sasive të vaksinave, për të mundësuar vaksinimin e popullatës dhe e konsiderojmë plan ambicioz por kemi garantuar 1.6 milionë doza vaksina por jemi duke vijuar për të garantuar kontrata të tjera dypalëshe në mënyrë që plani ambicioz i vaksinimit 4 mujor të ecë sipas këtij ritmi.
Me arritjen e dozave kemi mbi 13 mijë e 400 vaksina të kryera e të administruara deri dje, sot sërish vijojmë me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe të moshuarve +80 vjeç, kemi vaksinuar deri tani më shumë se 1000 të moshuar në shtëpitë e kujdesit shoqëror, kujdestarët e tyre dhe grupmoshën, kemi vaksinuar më shumë se 11 mijë stafe mjekësore dhe po vijojmë për ta përmbyllur vaksinimin e ekipeve tona shëndetësore brenda 2 javëve të para të marsit.
Duam të përfundojmë të gjitha planet tona për vijimin e vaksinimit.