Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar Qendrën e re Shëndetësore në Sukth- Katund i Ri, e rehabilituar në kuadër të Programit të 300 Qendrave Shëndetësore, e cila i shërben 4 mijë banorëve të kësaj zone.
“Tashmë me përmirësimin e infrastrukturës së 300 qendrave shëndetësore, ne do të vijojmë me kujdesin dhe mbështetjen për grupet në nevojë, duke i kthyer qendrat shëndetësore në qendra që ofrojnë shërbim dhe kujdes socio-shëndetësor”, nënvizoi Ministrja.
Duke e konsideruar moment delikat të pandemisë, Manastirliu ka kërkuar gatishmëri të shtuar nga ana e stafeve mejkësore, ndërsa tha se pavarësisht se vaksinimi po intesifikohet, nuk duhet ulur vigjilenca për zbatimin e masave të thjeshta.
“Është një moment delikat, është një moment që kërkon shumë angazhim. Dhe kërkon që gatishmëria të jetë e shtuar, pasi, pavarësisht faktit që ne kemi filluar vaksinimin dhe tashmë përfundojmë stafet mjekësore dhe gjithashtu jemi shtrirë në grupmoshat +80 vjeç, patjetër që duhet të vijojë kujdesi i shtuar për zbatimin e masave të thjeshta”, tha Manastirliu. Me programin e 300 qendrave shëndetësore, janë rehabilituar 20 qendra dhe ambulanca në qarkun e Durrësit, me të njëjtën cilësi, si në qendër dhe zonat periferike.