Nga Albert Nikolla/ Nëse ka një simbolike të fortë në këto zgjedhje, ajo prapë gjendet në dinamikën politike të zgjedhjeve në Vlorë. Aty ka nisur rrugëtimi i shtetit shqiptar dhe po aty filloi tatëpjeta e tre hordhive që kërkonin të rrëmbenin bash këtë simbol të ngjizjes së Shqipërisë. Shikoni sa dinamike janë të dhënat historike.
Syrja Vlora në kujtimet e tij dëshmon një të dhënë tejet interesante mbi karakterin e vlonjatëve që mbi gjithçka vinin atdheun. Kur trupat e banditit Haxhi Qamili, në shtator të 1914, pas largimit të Princ Widit dhepasi kishin pushtuar një pjesë të madhe të Durrësit, Tiranës dhe Shqipërisë së Jugut, donin të hynin në Vlorë, krerët e vendasi vunë disa kushte: 1) Flamuri i Shqipërisë nuk do të ulej (Haxhiu donte flamurin me gjysëm hënë); 2) u dhanë leje të hynin në Vlorë vetëm 500 vetë; 3) të mos qëndronin më shumë se 2 ditë. Haxhi Qamili u detyrua të pranonte kushtet e vlonjatëve. Ky fakt ishte një “thyerje hundësh” kundër banditit që nuk kishte hasur rezistencë të fortë asgjëkundi. Dhe ishte pikërisht Vlora që i shenjoi fatin tragjik banditit. Vlora që atëherë kishte vendosur orientimin e saj perëndimor dhe ashtu ka mbetur.
Përsa i përket largimit me luftë të ushtrisë italiane nga Vlora në qershorin e vitit 1920, kemi një të dhënë historike domethënëse: vetë Mussolini, asokohe mjaft i impenjuar në politike por akoma nuk kishte ardhur në pushtet, shkruan një artikull në të cilin dënon politikën italiane që lëshon Vlorën. Aq të rëndësishme e konsideronte Mussolini Vlorën për politikën italiane saqë në artikullin e tij “Addio Valona” me 5 gusht 1920 shkruan: “ .. edhe përpëlitjet e politikës sonë për të mos u larguar krejt nga Vlora por për të qëndruar disa ditë në Sazan, nuk e e zbusin aspak katastrofën politike italiane përballë Vlorës dhe kjo katasrofëështë e një natyre thelbësisht politike e morale”. Mussolini, i cili i kritikonte ashpër politikanët dhe qeverinë Xholiti për Vlorën, do të ishte i detyruar ta pësonte akoma më keq 23 vite më vonë, kur kësaj herë ushtarët italianë, pas kapitullimit të Italisë, nuk munden as të kthehen në Itali por u strehuan nëpër shtëpitë e vlonjatëve e shqiptarëve të tjerë vullnetmirë.
Skenari i 1997-s i Berishës ishte, në formë e përmbajtje, krejt i ngjashëm me atë të Haxhi Qamilit. Pasi kishte nxjerrë tanket në rrugët e Tiranës dhe kishte urdhëruar largimin e ambasadorëvë të huaj (sic: si asokohe Princ Widi!), ai kërkon të bëjë zap Vlorën. Por nuk kishte mësuar asgjë nga historia e Haxhi Qamilit, Italisë dhe madje edhe e Bashkimit Sovjetik të Hrushovit (edhe ky i fundit e la Vlorën dhe u largua pa lavdi!). Nuk e kuptonte se Vlora është kafshatë e pakapërdishme kur bëhet fjalë për shpëtimin e Shqipërisë. Pasi tanket u ndaluan në barrikadat e ngritura në hyrje të Vlorës, Berisha dha urdhër për bombardime me avionë nga aeroporti i Rinasit, por edhe aty dështoi pasi pilotët atdhetarë nuk iu bindën urdhërit dhe u larguan drejt Brindizit. Edhe asaj here Vlora u bë simboli i qëndresës kundër regjimit të dhunshëm që kërkonte vëllavrasje ndërmjet shqiptarëve.
Simbolikisht, PD-ja kërkon të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e 25 prillit: rikthimin e Vlorës në harresë e mjerim, fosilizimin e a saj. Është e kotë! Nuk nënshtrohet Vlora me emisarë të dërguar atje për të modifikuar listat e deputetëve. Vlora e do, e adhuron mikun por nuk i nështrohet askujt e aq më pak atij që ka dhënë urdhër për bombardime me avionë kundër popullit. Pikërisht në këtë kornizësimbolesh duhet vërejtur edhe vëmendja që Rama ka dëshmuar e dëshmon kundrejt Vlorës, pasi përtej numrit të deputetëve, sepse Vlora jep shtysë të fortë për fitoren e socialistëve kudo në Shqipëri.
Veç arsyeve që përmendem më lart, ka edhe një veti tjetër te elektorati i Vlorës: ka ngjizje të fortë ideologjikee partiake. Nuk funksionojnë eksperimentet me kandidime apo vendimmarrje personale jashtë Partisë Socialiste. E pati provuar edhe një ish-socialist i spikatur si Arben Malaj dhe mblodhi me sforcim të madh pak vota. Pra imitimi i modelit pd-ist nga ana e Lelit nuk ngjit fare në Vlorë ku ideologjikja përjashton tribalen e së “djathtës” shqiptare. Siç thotë Rama, fosilet e 97-s nuk mund të fitojnë askund në Shqipëri, e aq më pak në Vlorë.