Nga Mero Baze/ Një nga presidentët më karizmatikë të Francës, Nikolas Sarkozy, është dënuar me tre vite burg për influencë të pushtetit të tij në një çështje ko rruptive, ndërkohë që vajza e presidentit të Rumanisë, Ioanna Basescu, u dënua dje për pastrim parash, në një skemë të mundësuar nga pushteti i babait të saj.
Të dy dënimet, që i përkasin dy vendeve të Bashkimit Europian, njërit me demokraci të konsoliduar si Franca, dhe tjetri një vend i ngjashëm me Shqipërinë, por si anëtar i BE, nëse i bashkon, janë dënime për afera shumë më të lehta se dënimi që duhet të japë drejtësia shqiptare për historinë e klubit sportiv “Partizani”, ku kryeministri i vendit është kthyer në shërbëtor të familjes së vajzës së tij, për të grabitur një pronë që ishte shtetërore dhe më pas për të grabitur dhe vetë pronarët e vetëshpallur, duke kaluar si pronar nga 1 e 64 në 1 të 3 e pronës pas ndërtimit.
Sarkozy është dënuar se ka influencuar me pushtetin e tij në një aferë korruptive, kurse Sali Berisha ka drejtuar me vetëdije dhe nerv një proces korruptiv të zhvatjes së pronës publike, duke e ditur që gjithë procesi i kthimit ishte i mbështetur mbi fallsifikim.
Arkiva e Shtetit, e drejtuar nga babai i dhëndrit të tij, ka pranuar se tokat janë shpronësuar nga Qeveria italiane gjatë luftës për llogari të aeroportit dhe pronarët janë dëmshpërblyer. Ajo pronë është pronë e shtetit shqiptar.
Akuza e parë që bie mbi Sali Berishën është që edhe duke pasur dokumentin zyrtar të Arkivës së Shtetit, firmosur nga krushku i tij, që ajo është pronë e shpronësuar me pagesë, ka lejuar me vetëdije të transferohet tek familja e vajzës së vet. Pikërisht pse ka qenë pronë e paligjshme, dhe për këtë pronarët kanë qenë të vetëdijshëm, ata i janë nënshtruar sistemit të gjobave të dhëndrit të tij, në çdo hap administrativ që është bërë me urdhër të Sali Berishës, për t’i dhënë atij një tarifë shërbimi, e cila e çoi atë pronar të 35 për qind të kullave që ndërtohen aty.
E ngjashme është dhe historia e vajzës së presidentit rumun, për pastrim parash. Milionat e paligjshme të korrupsionit të familjes Berisha janë pastruar në këtë skemë kor ruptive, ku një kompani e formuar me një mijë euro, bëhet pronare e miliona eurove në fund të procesit.
Sali Berisha dhe familja e vajzës së tij, bashkojnë në një çështje të vetme, dy dënimet e fundit të dhëna, në dy vende të Bashkimit Europian, dy ditët e fundit. Vetë Sali Berisha duhet të akuzohet për influencë të pushtetit në një një çështje korruptive, në interes të familjes së vajzës, ndërsa familja e vajzës së tij, përveç falsifikimit të dokumenteve zyrtare, duhet të përballet me akuzën e pastrimit të parave. Nëse SPAK e ka të vështirë të ngrejë akuzën, le të lexojë dosjen e Sarkozisë dhe atë të vajzës së persidentit rumun, për të kuptuar se si duhet të bëhemi një vend i Bashkimit Europian. Është shumë e thjeshtë, nëse kanë kanë vendosur të bëjnë drejtësi. I kanë shembujt nga Bashkimi Europian.