Lajm i mirë nga “Valdebebas”: Karim Benzema u stërvit me grupin këtë të premte dhe shton shanset për të luajtur në derbin e së dielës midis Atlético dhe Real Madridit në “Wanda Metropolitano”. Një sihariq për Zidane, i cili e sheh francezin e tij themelor në përmbushjen e objektivave të sezonit. Në La Liga duhet ta fitojë derbin, për ta shkurtuar distancën prej pesë pikësh nga Atletico, që ka ende një lojë më pak.
Nuk është për t’u habitur, sepse Karim mbetet shënuesi më i mirë i “Los Blancos”, me 17 gola sezonalë, 12 prej tyre në kampionat. Benzema u dëmtua në mes të shkurtit dhe tashmë ka humbur tri ndeshje për këtë shkak. Ai nuk luajti kundër Valladolid, Atalanta dhe Real Sociedad. Zidane besoi te rikuperimi i tij për derbin.
“Karim mund të jetë me ne. Kjo është ideja. Le të shohim, sepse nuk është trajnuar ende me ekipin. Ai është shumë më mirë, nesër do të shohim”, – tha trajneri francez pas barazimit kundër Real Sociedad. Këtë të premte, më në fund, Karim ishte në gjendje të punonte me një ritëm si pjesa tjetër e skuadrës.
Ka mbetur vetëm një seancë stërvitore para derbit kundër Atlético. Nëse Benzema e përballon me grupin, do të grumbullohet me siguri dhe ndoshta do të startojë si titullar. Një problem më pak për Zidane, teksa Mariano u dëmtua të enjten. Ata që nuk u stërvitën me grupin edhe sot ishin Hazard, Ramos, Carvajal dhe Mariano. Të katër vazhdojnë me rikuperimet e tyre përkatëse.