Në stadiumin “Air Albania” 400 infermierë, disa prej tyre edhe nga Forcat e Armatosura, po trajnohen për të qenë gati për procesin e vaksinimit kundër COVID. Pasditen e sotme të pranishëm në ‘Air Albania’ ishte edhe Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj tha se ‘armatës sonë të vaksinatorëve do t’ shtohen rreth 400 infermierë që do të ndihmojmë për vaksinimin masiv të popullatës. Ndërkohë që Rama rikonfirmoi se në mes të marsit vijnë 14 mijë dozat nga AstraZeneca, ndërkohë që janë në pritje të një lajmi të mirë për një sasi të konsiderueshme që do të çojë në nisjen e procesit të vaksinimit masiv.

“Ju përgëzoj për seriozitetin që po ndiqni trajnimin dhe ju siguroj për mbështetjen deri në fund në këtë proces. Duhet të jemi super të përgatitur që në sekondën e parë që ne do të disponojmë një sasi të konsiderueshme vaksinimesh të shtrijmë menjëherë rrjetin e vaksinatorëve të fushatës “Shqipëria buzëqesh”, që duhet të jenë më shumë se sa kemi. Për këtë arsye i jemi drejtuar Forcave të Armatosura. Kjo është në luftë botërore. Janë sot 70% e vaksinave të prodhuara në duart e vetëm 10 shteteve. Shtete që nuk kanë bërë asnjë dozë ende janë mbi 100. Nga dita në ditë do të marrim një tjetër lajm të rëndësishëm për një sasi të konsiderueshme që do të kërkojë një angazhim shumë më të madh. Drita që është shfaqur në fund të tunelit do të vijë duke u shtuar dhe ndihuni mirë që ju jeni rreze të kësaj drite”, tha ndër të tjera Rama.