Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame njoftoi se vijon regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut, pas zgjidhjes së problematikave të hasura të mbivendosjes së pronave.
“Fshati Ilias, ishte fshati i fundit i përfshirë në procesin e regjistrimit, deri pak kohë më parë kur nisëm këtë proces. Ndërkohë që nisim sot procesin e regjistrimit të pronave në fshatin Gjolekë”- tha Lame.
Në një konferencë për median nga qyteti i Vlorës, kreu i Kadastrës tha se “kemi nisur dhënien e certifikatave të pronësisë për të gjithë komunitetin e këtij fshati. Kemi bërë të gjitha procedurat në terren dhe kemi respektuar të gjitha afatet për publikimin e pronarëve, u morën parasysh edhe të gjitha ankesat e banorëve dhe sot shpallim listat me të gjithë banorët, që nga sot mund të aplikojnë për të marrë certifikatën e pronësisë në fshatin Gjolekë”.
Harta e pronave, në këtë zonë, vijoi ai, është e publikuar dhe është transparente për të gjithë banorët. Ne i kemi marrë parasysh ankesat që kanë bërë banorët më parë dhe sot në këtë fshat nuk ka prona të mbivendosura
Lame theksoi se ndërkohë kemi ruajtur të pa prekur fashën bregdetare, që fshati Gjolekë e ka shumë të bukur.
Ai theksoj se të gjitha pronat kanë pronarë dhe nuk ka pronë shteti.
“Maksimumi ndonjë rrugë që mbetet pronë e shtetit, se na nxorën teorinë që po merrnim pronën e tua jepnim oligarkëve. Në krah të hartës së fshatit Gjolekë, është lista e të gjithë pronarëve që marrin certifikatën e pronësisë, ku çdo njeri që sheh emrin nga nesër të shkoj për ta marrë certifikatën”- tha Lame.
Ai theksoi se ligji i ri 2020, bëri të mundur këtë proces, pasi ligji i ri i dha mundësi të gjithë banorëve që u mbivendosjes prona të gjenin marrëveshje mes tyre për të ndarë pronën dhe sot nuk ka asnjë pronë të mbivendosur në këtë fshat.