Një total prej 329 nominimesh kanë mbërritur për çmimin Nobel të Paqes të këtij viti, duke reflektuar një numër çështjesh të ndezura në të gjithë botën në fushën e të drejtave të njeriut, tha Sekretari i Komitetit të dhënies së çmimit. “Ky është numri i tretë më i madh i të nominuarve ndonjëherë,” i tha Reuters-it Sekretari norvegjez i Komitetit Nobel, Olav Njoelstad. Në 2016-ën kishte një rekord prej 376 kandidatësh. Nga numri i përgjithshëm i këtij viti, 234 janë individë dhe 95 organizata.

Navalny, Thunberg, OBSH, Trump

“Ai pasqyron interesin e madh ndërkombëtar për Çmimin Nobel për Paqe. Kjo ndoshta tregon ekzistencën e një numri të konflikteve të pazgjidhura, luftërave dhe problemeve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën,” tha Njoelstad. Komiteti Nobel nuk komenton se kush u nominua, por ata që i propozuan, përfshirë anëtarët e parlamenteve në të gjithë botën dhe ish-fituesit, mund të zbulojnë kandidatët e tyre.

Alexei Navalny i Rusisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Greta Thunberg e Suedisë janë midis të nominuarve për çmimin e këtij viti, sipas një sondazhi të Reuters. Janë gjithashtu programi COVAX, i cili siguron qasje të barabartë në vaksinat COVID-19 për vendet e varfra, aktivistja amerikane për të drejtat e njeriut Stacey Abrams dhe disidentet bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya, Maria Kolesnikova dhe Veronica Cepkalo. Gazetarët pa Kufij, Rrjeti Ndërkombëtar i Gjetjes së Fakteve dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u nominuan poashtu.

Lista përfshin dhe ish-Presidentin e SHBA Donald Trump, dhëndrin e tij Jared Kushner dhe ndihmësin e Shtëpisë së Bardhë të Kushnerit, Avi Berkowitz, të nominuar për ndërmjetësimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe disa vendeve arabe.
Bordi pesë anëtarësh mbajti takimin e tij të parë të premten, tha Njoelstad. Ata do të takohen një herë në muaj për të diskutuar kandidatët përpara se të shpallin laureatët në tetor.