Përmes një instrumenti të ri të quajtur Cosolve-19, që ofron këshillim të kombinuar me grante, qeveria i vjen në ndihmë fermerëve dhe bizneseve mikro, për të zbutur pasojat e krizës së COVID-19. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi i bën apel fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe të mesme, që janë prekur nga pasojat e pandemisë Covid-19, të aplikojnë në cosolve19.al, për të marrë një hap më tej në zgjidhjen e duhur, për biznesin e tyre.
Periudha e aplikimit është e hapur nga data 25 shkurt deri më 31 mars 2021. Në raundin e parë, 210 aplikues do përzgjidhen për përkrahje të menjëhershme, ndërsa CoSolve-19 do të mbështesë 900 NVMV të prekura nga pandemia COVID-19 deri në fund të vitit 2022.
Kjo iniciativë, fokusohet në zbutjen e efekteve të shkaktuara nga kriza e COVID-19 dhe rimëkëmbjes së bizneseve, e po ashtu në përshtatjen e tyre me “normalitetin e ri” .