Cristiano Ronaldo është vlerësuar nga AIC (Shoqata e Futbollistëve Italiane) si lojtari më i mirë i sezonit 2019-20.

Kampioni portugez ka marrë çmimin dhe ka thënë për Sky Sport:

“Ka qenë një vit i çuditshëm, një vit që askush nuk do ta kishte dashur, por ka qenë një vit pozitiv në nivel personal dhe skuadre, sepse kemi fituar kampionatin”.

“Ka qenë e vështirë në fillim për të luajtur me stadiumet e boshatisur, por objektivi ynë ishte të fitonim kampionatin dhe ia kemi dalë”.

“Championsi na ka ikur, por futbolli kështu e ka. Goli kundër Sampdoria-s? ka qenë goli im më i bukur. Dua të falënderoj shokët e mi të skuadrës, sepse nuk do të kishte qenë e mundur ta fitoja këtë çmim pa ata”.

“Falënderoj futbollistët që kanë votuar për mua, ndihem shumë me fat. Mendoj se besimi, vazhdimësia dhe pasioni janë sekreti për të vazhduar dhe për ta shijuar futbollin. Pa këto, nuk është e mundur të luash në këto nivele kur je 35, 36, 37 ose 40 vjeç”.