Cristiano Ronaldo shënoi edhe të martën, kur vulosi fitoren 3-0 të Juventusit ndaj Spezia. Golashënuesi portugez u bashkua në fletën e shënimeve me Alvaro Morata dhe Federico Chiesa. E veçanta e tij kësaj here? Me golin e minutës së 83-të, Ronaldo bëri historinë, si një nga golashënuesit më të mirë të futbollit. Ai u bë lojtari i vetëm, që shënon të paktën 20 gola në secilin nga 12 sezonet e fundit, në pesë ligat më të mira europiane.
Kjo seri filloi më 2009-2010, me sezonin e tij të parë te Real Madridi, pasi kishte shënuar vetëm 18 gola gjatë edicionit pararendës, i fundit me Manchester United. Ylli portugez shënoi të paktën 25 herë gjatë secilit prej nëntë sezoneve të tij në Madrid, duke rrumbullakosur tri herë nga 40 gola gjatë kohës së mbushur me trofe në Spanjë. Që kur u transferua te Juventusi, Ronaldo nuk ka ngadalësuar shumë, pasi shënoi 52 gola gjatë dy sezoneve të para në Serie A. Ai shënoi golin e 20-të kundër Spezia.