Nga Artur Ajazi/

Ka qenë dhe është veçori e kryetarit të opozitës (pasi ata të gjithë janë bërë si ai) që sa herë del në medie, në takimet me “elektoratin”, në takimet me ata që ai i quan “biznesi dhe votuesit e parë”, të gënjejë. Duket sikur nuk jeton dot pa gënjyer. Edhe kur shkon diku, madje në ditë festive, turret të gënjejë, edhe kur brohoret, edhe kur duartroket, edhe kur u premton “parajsën” atyre që e dëgjojnë gojëhapur. Por më kryesorja, ai gënjen edhe kur ndikon personalisht tek dhuna, tek prishja e ditës festive, apo tek prishja e imazhit të zgjedhjeve duke nxitur akte ekstreme dhune.

Sa gënjen o Lulzim, sa gënjen. Si nuk mund ta kuptosh se me bllofe, premtime qiellore dhe hipokrizira, nuk mund të marrësh vota as në lagjen tënde, jo pastaj të fitosh pushtetin. Gënjen kur deklaron “kemi fitoren të sigurtë” apo dhe kur u premton shumë “miqve” se “emrin e keni në listën time,por na e ka kthyer KQZ për verifikim”. Kjo natyrisht do të jetë fushata e fundit e gënjeshtrave dhe e dhunës për opozitën. Prej 4 vitesh ajo i ka fryrë erës së “revolucionit”. Prej 4 vitesh ajo kërkon rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit, prej 4 vitesh ajo nxin gjithçka të bukur që është bërë në këtë vend, bën pis imazhin e vendit, dhe nxit grupimet dhe individët të bëjnë akte dhune duke shkelur ligjin. Gënjen kur del në rrethe, aq sa je gati ti përulesh çdo peshkatari, tregëtari apo dhe qytetari që takon në rrugët dhe rrugicat e qyteteve, vetëm ti bindësh të të japin votën. Kjo fushatë nisi me dhunën, po vazhdon me dhunën, dhe ka gjasa të mbyllet me dhunë nga opozita. Arsyeja ? Dihet, humbja është e sigurtë, ndaj dhe skenari (plani B) është i qartë.

Motua “aty ku nuk hyn bindja, të përdorim dhunën”, ka nisur të bëhet refreni i fushatës të kësaj opozite të çoroditur.Programi i saj u sfumua shpejt, pasi shqiptarët nuk kanë kohë të merren me dënglat e premtimet qiellore të kryetari të Partisë Demokratike. Por më flagrante, gënjeshtrat e Lulzimit bëhen kur shikon se si KQZ-ja, i nxjerr emra të hetuar dhe penalizuar, që ai ka futur në listat e kandidatëve për deputet. Ai që deri dje deklaronte se “Rama ka mbushur Parlamentin me të dënuar”, sot nxirret zbuluar nga KQZ-ja. Ai që deri dje akuzonte se “Rama dhunon opozitën”, sot ka nxjerrë trimoshat dhe po demonstron dhunë në çdo qytet të vendit. Atje ku shkon “premtuesi i madh”, ka turma të eksituara, ka elementë të dhunshëm, ka prishje të qetësisë për qytetarët, ka shkelje ligjore. Vallë për këta njerëz do të votojnë shqiptarët?

Elbasanin e ktheu në vatrën e parë të dhunës, e cila nisi ditën e bekuar të Verës, ndërsa po tenton të nxisë dhunë edhe në qytete të tjera. Një kryetar partie si ai, që edhe kur sheh “gjurmët” edhe kur kapet “gafil” me akte dhune nuk pranon se ka gabuar, nuk mund të jetë i besueshëm as me premtimet e tij, dhe as në pushtet, ashtu siç pretendon. Gënjeshtrat e Lulzimit, janë kthyer në barcaleta në këtë fushatë. Dhe me të drejtë qytetarët kanë të drejtë të pyesin “si mund të kërkojë votën një politikan që nuk ka mbajtur asnjëherë asnjë premtim, një politikan që nuk dënon aktet e dhunës por i nxit ato” ? Sa gënjen o Lulzim, sa gënjen…. Dhe të tillë ke bërë edhe ata të listës, aq sa thonë se “kësaj here na duket sikur kemi një listë të gjatë me “robotë” dhe jo konkurentë të besueshëm.