Nga Artur Ajazi

Nuk mbahet mënd asnjëherë, që ky vend dhe ky popull, të ketë “fituar” kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike. Nuk mbahet mënd, ti ketë qeshur buza shqiptarëve, kur pushtetin ta ketë patur ajo parti, që për herën e parë në historinë e këtij vendi, shpiku (paranë qyl) piramidat, i bëri dembelë njerëzit, i mbajti me premtime boshe,i ngopi me lugë të zbrazur, dhe pastaj i futi në vëllavrasje. Shkrehja e institucioneve, korrupsioni, zhbërja dhe shkelja e ligjit, kanë qenë në harmoni me drejtuesit e shtetit, kur pushtetin e kishte ajo parti. Fituam… çfarë, në ato vite?

Të paktën ta dimë. Fituam shkatërrimin e shtetit, pragluftën civile, grushtin e shtetit, rritjen e korrupsionit, shitjen e pasurive, vjedhjen e thesarit, fituam më shumë analfabetë se kishim në 1945, apo fituam “hyrjen në NATO dhe heqjen e vizave”. Sa qesharake. Sepse me këto dy të fundit, mburret Lulzim Basha, (dhe “babai” i tij shpirtëror) që nuk ka asnjë meritë si person. Mburren me “lëvizjen e lirë”, kur KE dhe BE, i dha notën kaluese Shqipërisë edhe falë konstruktivitetit të asaj pjese të politikës, që ka arritur sot me Edi Ramën, të sigurojë mbështetje maksimale për krizën e fundit. Me moton “Shqipëria fiton”, fushata e opozitës, rrezikon të kthehet në dështim total, edhe për faktin sepse Lulzim Basha nuk ka ç’të rendisë, pasi nuk ka arritje apo suksese. Fiton çfarë ….? Ndoshta duhet tu thotë shqiptarëve me dorën në zemër “ndjesë” për gjithçka ka trazuar mëndja e mbrapshtë e lidershipit të një partie që shpresën e ka patur, dhe e ka tek falangat e dhunës. Partia e shkatërrimit, që edhe ditët festive, gjithmonë i ka kthyer në ekzaltime të dhunshme, nuk frymëzon më zemrat dhe shpirtrat e shqiptarëve. Ajo ka mbjellë gjithmonë tmerrin dhe vajtimin në jetët e tyre. Mijëra të vrarë nga kallashnikovët në 1997, qindra të mbytur në Adriatik me gomonet e skafet e trafikut, dhjetra të vrarë në Gërdec, qindra mijëra të ikur nga ky vend si shkak i keqeverisjes së një partie, që edhe drejtorët e policisë, i kishte kthyer në roje trafiku dhe kontrabande.

Atëhere, çfarë “fiton” Shqipëria me ju ? Keni plakur tre breza shqiptarësh, që edhe sot flasin me vehte, kur kujtojnë humbjen e miliona lekëve kursime në fondacionet kriminale, që ish-presidenti i asaj kohe deklaronte se “ishin para të pastra”. Ç’fiton me ju Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Gjirokastra, Shkodra, Kukësi, Lezha, Berati, Fieri, Lushnja, ç’fiton me ju Erseka, Saranda, kur gjithçka atje ka ndryshuar. Edi Rama u ka bërë “qilizëm” qyteteve dhe fshatrave, u ka “veshur vello” europiane, aq sa kushdo që vjen pas kaq vitesh në këtë vend, mbetet pa fjalë. Edi Rama është makinisti që nuk di të ndalë trenin e tij, derisa të mbërrijë në destinacion, në Bashkimin Europian. Dhe ja…në sfond, duken stacionet e fundit. Trenin “Rama”, nuk mund ta ndalin ca hije që mbeten pas. Janë hijet e humbjes, hijet e shkatërrimit, hijet e së keqes, që rreken të kapin, dhe të shqyejnë trupin e brishtë të shtetit ligjor në Shqipëri. Në fushatën e tyre, nuk ka jetë por vetëm zvetnim, nuk ka shpresë por vetëm pezmatim, në fushatën e tyre dëgjohen hungërima dhe ulurima për dhunë, dhe jo mesazhe qetësie dhe qytetarie. Atëhere, çfarë “fiton Shqipëria” me ju o të marrë, kur ju nuk doni as rindërtimin, as vaksinimin, por kërkoni vetëm shkatërrimin ?