Më 1957, objekti i parë, i krijuar nga njeriu, ka hyrë në orbitën rreth Tokës. Ishte quajtur Sputnik dhe ishte lëshuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Tani, 63 vjet më vonë, Rusia e mori këtë ide për ti vendosur emrin vaksinës kundër Covid-19. Pavarësisht shqetësimeve të ekspertëve se vaksina është miratuar pa kryer testimet e domosdoshme, më shumë se 40 shtete kanë vendosur t’i besojnë asaj dhe e kanë miratuar vaksinën për përdorim.

Si funksionon vaksina Sputnik V?

Sputnik V është vaksinë vektoriale. Kjo nënkupton se për krijimin e saj është përdorur një version i modifikuar i një virusi tjetër, si mënyrë për të bartur materialin gjenetik në qelizë. Sputnik V është krijuar duke përdorur viruse që zakonisht shkaktojnë infeksione në rrugët e frymëmarrjes, mirëpo edhe viruse tjera (duke përfshirë ata të gripit sezonal ose fruthit) janë përdorur nëpër terapi vektoriale. Virusi, që është përdorur si vektor, është ndryshuar ashtu që të mos përbëjë rrezik apo të shkaktojë sëmundje. Virusi mban edhe një gjen shtesë, i cili është unik për virusin që shënjestron. Për vaksinat kundër COVID‑19, gjeni përmban udhëzime për krijim të një proteine, që gjendet në sipërfaqe të këtij virusi. Sapo të marrë vaksinën një person, vektori futet në qelizë dhe e shfrytëzon atë për të krijuar proteina. Sa më shpejt që sistemi imunitar të njoh proteinën, aq më shpejt fillon të prodhojë antitrupa dhe aktivizon procese tjera imunitare në trup.

Si u krijua Sputnik V?

Rusia ka nisur testimet klinike për vaksinën kundër COVID‑19 në qershor të vitit 2020. Në më pak se dy muaj, presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se Qendra Kombëtare për Epidemiologji dhe Mikrobiologji Gamaleya ka nxjerrë për përdorim vaksinën e parë në botë kundër COVID‑19. Por faza e tretë e testimit të vaksinës ka filluar më vonë dhe ky është shkaku pse nuk u përdor në vendet e tjera.  Pas vaksinimit të disa punëtorëve shëndetësorë, vaksinimi në masë ka nisur në dhjetor të vitit 2020, pavarësisht pse vaksina ende ka qenë në fazë testimi. Dy javë më vonë, Bjellorusia është kthyer në shtetin e parë të huaj që ka miratuar për përdorim vaksinën ruse. Në shkurt të vitit 2021, revista kërkimore The Lancet ka publikuar një studim që ka treguar se vaksina Sputnik V ka qenë 91.6 për qind efektive.

Ku dallon vaksina Sputnik V me vaksinat tjera?

Sputnik V mund të ruhet në frigorifer standard në 2-8 gradë celsius, ndryshe nga vaksinat Pfizer/BioNTech duhet të ruhet në temperaturë -70 gradë Celsius dhe ajo Moderna në -20 gradë Celsius.
Një tjetër dallim i vaksinës është se doza e parë e vaksinës Sputnik V nuk është identike me dozën e dytë. Ato dallojnë, pasi secila shfrytëzon viruse të ndryshme si vektorë: një dozë virusi të pambëshjellur Ad26 në dozën e parë dhe një tjetër dozë virusi po ashtu të pambëshjellur Ad5 në dozën e dytë.  Deri më tani Sputnik V është regjistruar dhe miratuar për përdorim urgjent në më shumë se 40 shtete në botë. Në listë përfshihen shumë shtete të Amerikës Latine, mirëpo edhe disa shtete të Afrikës dhe Azisë. Në Evropë, vaksina është miratuar në Bjellorusi, Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Hungari, Moldavi, Mal të Zi, San Marino, Serbi dhe Sllovaki.

 

Sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, shpejtësia e fushatës së vaksinimit në Rusi është “normale”. Pavarësisht kësaj, në fillim të shkurtit ishte parashikuar se vaksinat janë duke u dhënë në Rusi me një të katërtën e shpejtësisë.

Mendohet se Rusia do të vaksinojë 68 milionë njerëz këtë vit, mirëpo pengesat e mundshme në prodhim, mund ta shtyjnë arritjen e qëllimit. Për këtë arsye edhe vende të tjera që nuk prodhojnë dot vaksina ose nuk përmbushin kapacitetet i janë drejtuar Rusisë, por ende nuk dihet nëse Rusia do të vaksinojë totalisht popullatën e saj, e më pas të dërgojë tek shtetet e tjera.