Mundet të jetë siç thotë Luçiano Boçi lidhur me sherrin e tij me biznesmenin Gjergj Luca, që ky i fundit pra e ka sulmuar i pari, porse këto pamje sipas tij nuk janë.
Ndërkohë, nuk dihet pse i konsideroi të manipuluara ato që janë, ku qartazi është ai që e godet Lucën e bëshëm, ndërkohë që ka për ndihmëtar një prej njerëzve që kanë qenë në shoqërinë e tij. Ndoshta për manipulim është marrë çështja e celularit, që siç tha Boçi, ishte i tij dhe jo i Lucës.
Por le ti referohemi asaj që ka parë e po sheh mileti, goditjet që Boçi i jep Lucës, i cili nga ana e tij nuk ka asnjë njeri në krah.
Në një farë mënyre ishin tre me një, pra Luca i vetëm përballë një tresheje, ku duhet thënë se jo të tre e godisnin. Pra vetëm Boçi.
Dhe këtu vjen debati i madh mbi rastin. Duke gjykuar nga profilet e tyre publike, duhej të qe e kundërta. Luca, edhe pse bir i dy prindërve të njohur artistë, edhe pse i diplomuar në Akademinë e Arteve, ofron një tjetër staturë publike, pa ndjeshmëri intelektuale për ta ruajtur veten nga përlyerja e imazhit.
Jo me ndonjë imazh të përlyer në fakt; përkundrazi, komunikativ, ekspresiv, babaxhan, pak i çmendur në inisiativa biznesi, ai nuk është i njohur si sherrxhi, por dhe mund të futet në sherr, nuk është se ka apo duhet të ketë vetëpërmbajtje etike prej asaj se ç’përfaqëson në publik.
Krejt e kundërta me Luçiano Boçin. Një hem pedagog universitar, pra, i staturës intelektuale, e hem deputet, njeri pra me peshë publike që duhet të kujdeset për imazhin e vet, ai duhet të jetë përplot ndjeshmëri etike së brendëshmi për të ruajtur të pacenueshme aureolën e një njeriu të përkorë, që i shmanget provokimit, i shmanget sherrit, dhe ka aftësitë pedagogjike për ta menaxhuar një situatë nën tension.
Tek e fundit, më sa u pa në pamje, Boçi ishte nën mbrojtjen e dy personave të tjerë. Pra, nuk ishte në rrethana ku i kërcënohej jeta e ku, pavarësisht se ç’je a ç’përfaqëson, dy duar për një kokë janë.
Jo, ky nuk ishte rasti. Aq më tepër që sado provokativ apo xhambaz të jetë treguar Luca me të, nuk është gjithsesi prej atyre që rrezikon jetën e dikujt, pra nuk është i hurit apo i litarit.
Për më tepër, aty Boçi ka patur rastin të tregojë dhe epërsinë e vet etike ndaj një horri të Ramës, siç e quan politikisht. Por as këtë s’e ka bërë.
Por çfarë ka bërë Luçiano Boçi? Në fakt asgjë. Dhe, incidenti me të tregon se kur nuk mund t’i japësh shoqërisë aty ku është fusha jote, pedagogjia, ku do t’i japësh tjetër.
Fjala vjen, a mund të jetë Luçiano Boçi nesër një ministër Arsimit pas imazheve që ka lënë në kacafytje me Lucën? Sigurisht që jo.
Ai ndoshta futet në parlament si deputet, edhe mund ta marrë një detyrë shtetërore, por profilit të tij publik si njeri i sferës së arsimit, afër të qënit intelektual, i ka vënë një njollë të pashlyeshme. Aq të pashlyeshme sa dhe vetë ai duhet të jetë penduar.
Pos kësaj, nuk ka asgjë tjetër që mund ta kompensojë. Sepse, siç është parë në gjithë këto vite si figurë politike, ai nuk arrin të thotë asgjë mbresëlënëse kur flet, sikur të mos qenë pedagog universitar por shitës peshku! (Tesheshi)