“E ardhmja e Zidane në ajër” shkruan “AS” në Spanjë, që nuk ndalet me kaq. Trajneri francez është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2022 dhe deri më tani ngacmimet i ka shmangur duke u shprehur se mendon për të sotmen dhe jo të nesërmen.

Gjithsesi atë e tundojnë dy ide për të ardhmen dhe njëra është për të marrë drejtimin e Francës kampione bote. Didier Deschamps ka edhe një vit kontratë dhe largimi i tij i hap rrugë pikërisht trajnerit të Realit, çka e ka thënë edhe presidenti i Federatës së Futbollit në Francë, Noel Le Graet.

“Nëse Didier largohet dhe unë jam akoma në krye të federatës, personi i parë që do të shihja është Zidane”, shprehej Graet para disa kohësh. Gjithsesi Zidane një sy e ka edhe te Juventusi, që u eliminua nga Champions League shumë shpejt. Andrea Pirlo është trajneri aktual i bardhezinjve dhe Pavel Nedved një ditë më parë i dha besimin maksimal italianit, por kjo nuk i ndal mediat spanjolle ta shohin Zidane si një kandidat për stolin e ekipit nga Torino.