Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, parashikon një verë më të qetë për të gjithë sa i përket përballjes me COVID. Sipas tij e rëndësishme është që të ecet para me vaksinimet.
“Në këtë moment numrat janë të kontrollueshëm. Njerëzit janë të ndërgjegjshëm për sëmundjen. Situata është më së normale me këto numra. Edhe në spitale është më shumë normale, ndryshe nga ç’ndodhi në nëntor dhe dhjetor. Me këto numra jemi disi të qetë me kontrollin e pandemisë.
Unë mendoj se vera do të jetë më e lehtë dhe më e thjeshtë. Dhe nga vjeshta të kemi arritur një përqindje shumë të madhe vaksinash. E rëndësishme është që vaksina të jetë e disponueshme në numra sa më të mëdhenj”, tha Brataj.
Sa i përket debatit për çështjen e AstraZeneca, edhe Brataj ripërsëriti që të gjithë studimet përjashtojnë që kjo vaksinë të ketë probleme.
“AstraZeneca e ka treguar efikasitetin dhe sigurinë. Refuzimet janë për shkak të mosdijes. Është verifikuar që nuk ka asnjë lidhje të trombozave më të. Është i njëjti numër trombozash kur nuk bëhej vaksina, nuk ka asnjë rritje”, tha ndër të tjera Skënder Brataj në intervistën për Report Tv.