Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dhënë një mesazh të fortë politikës para dorëzimit të listave me kandidatët për deputetë të partive politike në KQZ. Pas thirrje të vazhdueshme për kandidatë të pastër në lista dhe takimeve të veçanta që ka zhvilluar me liderët kryesorë të partive në vend, Yuri Kim shprehet se do të shohë nëse udhëheqësit e Shqipërisë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE në bazë të kandidatëve që kanë zgjedhur për të përfaqësuar popullin shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit.
Kim shkruan se SHBA ka qenë shumë e qartë në lidhje kërkesën e saj për kandidatë të pastër, që nuk kanë shkelur ligjet shqiptarë dhe që nuk janë pjesë e listës së zezë së DASH. Diplomatja amerikane thekson se nesër SHBA do të kuptojë nëse udhëheqësit e partive do të mund të marrin vendime të vështira për një demokraci të vërtet duke treguar lidership, duke i paralajmëruar se nëse nuk e tregojnë atëherë SHBA “do t’i bëjë udhëheqësit e partive të përgjegjshëm”.
“Nesër është afati i fundit që partitë të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet 25 prillit. SHBA ka qenë jashtëzakonisht i qartë në lidhje me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, duke përfshirë edhe respektimin e ligjeve të Shqipërisë dhe vendimet e Sekretarit të Shtetit të SHBA. Shqiptarët nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi i tyre më i madh është se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë. Nëse udhëheqësit e Shqipërisë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendimet e vështira të nevojshme për një të ardhme më demokratike dhe me prosperitet për Shqipërinë. Ne presim që krerët e partive të demonstrojnë lidershipin e vërtetë. Ne do t’i bëjmë udhëheqësit e partive të përgjegjshëm. Ne gjithashtu do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa shqyrton dorëzimin e listave të kandidatëve, e cila është një detyrë që duhet të ndërmerret para së gjithash në emër të votuesve shqiptarë”, shkruan Yuri Kim.
8 marsi do të shënojë afatin e fundit të dorëzimit të listave në KQZ nga partitë politike, ku do të sjellë dhe zyrtarizmin e emrave që liderët e partive kanë zgjedhur për të 12 qarqet e vendin në zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadorja Yuri Kim ka përsërit shpesh apelin e saj që në lista të publikohen kandidatë të pastër dhe sot 24 orë para përfundimit të afatit në KQZ, ka vendosur që të bëjë të njëjtin apel, por me një deklaratë shumë më të fortë duke vendosur para përgjegjësisë të gjithë kryetarët e partive për emrat që do të zgjedhin. Në të dy selitë kryesore atë të PS dhe PD është duke u punuar në përpilimin e listave që do të publikohen zyrtarisht nesër.