Për kancerin nuk ka një faktor më të madh rreziku sesa mosha. Në kohën e diagnozës, mosha mesatare e pacientëve për të gjitha llojet e tumoreve është 66 vjeç. Gjithsesi, ai moment është kulmi i viteve të rritjes së fshehtë të tumoreve, ndërsa përgjigja e një pyetje të rëndësishme kishte mbetur deri sot pa përgjigje: Kur lindin ato?
Sipas një studimi të ri nga studiuesit në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe Institutin e Kancerit Dana-Farber, të paktën në disa raste, mutacioni origjinal që shkakton kancerin mund të jetë shfaqur deri 40 vjet më parë. Duke rindërtuar historinë e linjës së gjakut të qelizave kancerogjene tek dy individë me një kancer të rrallë të gjakut, ekipi i studiuesve llogariti se kur u shfaq për herë të parë mutacioni gjenetik që shkaktoi më vonë sëmundjen.
Tek një pacient 63-vjeçar, ajo ndodhi rreth moshës 19 vjeç; ndërsa tek një pacient 34 vjeçar, rreth moshës 9 vjeçare. Gjetjet të botuara në numrin e fundit të revistës “Cell Stem Cell”, shtojnë më tej provat se tumoret zhvillohen ngadalë për periudha të gjata kohore, përpara se të shfaqen si një sëmundje e veçantë.
Rezultatet e këtij studimi ofrojnë njohuri, të cilat mund të ndihmojnë në krijimin e qasjeve të reja për zbulimin, parandalimin apo ndërhyrjen e hershme. “Për të dy këta pacientë, ishte gati si të kishin një sëmundje fëmijërie, që iu desh disa dekada që të shfaqej, gjë që ishte shumë e habitshme”-tha autori kryesor i studimit Sahand Hormoz, asistent profesor në Shkollën Mjekësore të Harvardit.
“Mendoj se studimi ynë na detyron që të pyesim:Kur fillon kanceri, dhe kur ai ndalon së qeni i ‘shëndetshëm’? Gjithnjë e më shumë po duket se ai është një vazhdim, pa ndonjë kufi të qartë, gjë që ngre një pyetje tjetër:Kur duhet të shqyrtojmë ekzistencën e një kanceri?”- thotë Hormoz.
Në studimin e tyre, Hormoz dhe kolegët e tij u fokusuan tek neoplazitë mieloproliferative (MPN), një lloj i rrallë i kancerit të gjakut që përfshin mbiprodhimin e tepërt të qelizave të gjakut. Shumica e MPN-ve lidhen me një mutacion specifik në gjenin JAK2.
Kur mutacioni ndodh në qelizat staminale të palcës së kockave, që janë fabrikat e prodhimit të qelizave të gjakut të trupit, ai mund të aktivizojë gabimisht JAK2 dhe të shkaktojë mbiprodhim. Për të përcaktuar origjinën e kancerit të një individi, ekipi mblodhi qelizat staminale të palcës kockore nga dy pacientë me MPN, për shkak të mutacionit JAK2. Studiuesit izoluan një numër qelizash staminale që përmbajnë mutacionin, si dhe qelizat burimore normale, nga secili pacient, dhe pastaj sekuencuan të gjithë gjenomin e secilës qelizë individuale.
Me kalimin e kohës dhe rastësisht, gjenomet e qelizave fitojnë rastësisht të ashtuquajturat mutacione somatike – ndryshime spontane jo të trashëgueshme dhe kryesisht të padëmshme. Dy qeliza që së fundmi janë ndarë nga e njëjta qelizë nënë, do të kenë shenja shumë të ngjashme me mutacionin somatik.
Por dy qeliza pa shumë lidhje me njëra-tjetrën, por që kishin një paraardhës të përbashkët shumë breza më parë, do të kenë më pak mutacione të përbashkëta, sepse kishin kohën për të grumbulluar mutacione veç e veç.
Duke analizuar këto gjurmë, Hormoz dhe kolegët krijuan një pemë filogjenetike, e cila harton marrëdhëniet dhe paraardhësit e përbashkët midis qelizave, për qelizat burimore të pacientëve – një proces i ngjashëm me studimet e marrëdhënieve midis shimpanzeve dhe njerëzve.
Duke i kombinuar ato me llogaritjet e shpejtësisë me të cilën grumbullohen mutacionet, ekipi mundi të vlerësojë se kur ndodhi për herë të parë mutacioni JAK2. Tek pacienti, i cili u diagnostikua për herë të parë me MPN në moshën 63 vjeçare, ekipi zbuloi se mutacioni lindi rreth 44 vjet më parë, pra në moshën 19 vjeçare. Ndërsa tek pacienti i diagnostikuar në moshën 34 vjeçare, ai lindi që në moshën 9 vjeçare.
Duke parë marrëdhëniet midis qelizave, studiuesit mund të vlerësojnë gjithashtu numrin e qelizave që e bartën mutacionin me kalimin e kohës, duke i lejuar ata të rindërtojnë historinë e përparimit të sëmundjes.
“Në fillim mutacionin e bart vetëm një qelizë. Edhe për 10 vitet e ardhshme, ka vetëm 100 qeliza kancerogjene. Por me kalimin e kohës, numri rritet në mënyrë eksponenciale dhe arrin në mijëra e mijëra. Ne e dinim se kanceri kërkon një kohë shumë të gjatë për t’u bërë një sëmundje e dukshme, por askush nuk e kishte treguar deri tani kaq qartë sa ky studim”- theksoi ai. / MedicalXPress – Bota.al