Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama ka provokuar një reagim kapilar nga shumica e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, që janë ironizuar prej tij në një prezantim krahasues të kandidatëve të tij me ata të PD, në disa qarqe të vendit. Reagimet, në të vërtetë shumëfishojnë parodinë përmes së cilës Edi Rama vizatoi profilet e tyre politike, dhe janë një garë e humbur për t’iu kundërpërgjigjur atij me të njëjtën gjuhë, por pa talent.
E gjitha çfarë ka ndodhur është që PD ka rënë në kurthin e strategjisë së Edi Ramës dhe personazhet e tallur prej tij, tani po vetëprezantohen në shumë raste më keq se sa i ka vizatuar ai. Akuza kryesore që po i bëjnë Edi Ramës, ka të bëjë me faktin se është ofenduese dhe e papranueshme, tallja e kundërshtarëve në fushatë. Në të vërtetë, kjo qëndron dhe në një fushatë korrekte kjo duhet të shmanget.
Por ajo që bën pothuajse gjithë personazhet e prekur, është se tentuan të jenë më agresivë dhe më pa talent se Edi Rama, duke tentuar ta fyejnë atë. Njëri i thotë trafikant heroine, tjetri përdorues kokaine, Mesila i thotë “o përrua psiqik”, njëri i kujton që ka dalë pa brekë në foto, tjetri i thotë do të marr në punë në pulari etj. Tani nëse jemi kundër bullizmit në politikë, është gjë e mirë dhe mund ta kritikojmë Edi Ramën, që ka tentuar të tallet me disa kandidatë për deputetë, por me kushtin që këta të mos jenë siç thotë Edi Rama.
Reagimi i tyre ishte shumë here më agresiv se Edi Rama, vetëm që nuk të bënte as për të qeshur e as për të qarë. Ishte thjesht mediokritet dhe agresivitet, ose histeri, si në rastin e Mesilës. Reagimi i tyre e nxjerr Ramën më shumë një shkrimtar të talentuar, se një politikan bullizues, si në fakt ishte kur foli i pari. Nga ana tjetër, Partia Demokratike është e fundit në këtë vend, që duhet të flasë për bullizëm. Kryetari historik i kësaj partie, nuk e hap gojën po qe se nuk fyeu dhe poshtëroi dikë.
Sali Berisha preferon më mirë të mos flasë fare, se sa të flasë e të mos të thotë fjalët më të rënda që ekzistojnë në gjuhën shqipe ndaj kundërshtarit, të shoqëruar me urrejtje dhe thirrje për linçim. Ai është prodhuesi i fjalorit të urrejtjes në politikë, arkitekti i fyerjes dhe poshtërimit të kundërshtarit dhe rron në këtë botë vetëm për të sharë e fyer. Ky është identiteti i tij. Tani kjo parti që ka kryetar këtë përbindësh të vrerit, urrejtjes, fyerjes, degradimit dhe llogjikës njerëzore, është shumë qesharake të ankohet për batutat ironike të Edi Ramës, për disa deputetë të saj. Për më tepër që beteja për të bullizuar kandidatët, nuk nisi nga Edi Rama, por nga PD.
Partia Demokratike dhe gjithë ushtria e trushpëlarëve të saj në rrjete sociale, kanë një javë që fyejnë e denigrojnë dy zonja kandidate për deputete, vetëm pse njëra ka moshën e Saliut, por ndryshe nga ai, e do gjithë Shqipëria, kurse tjetra ka profesionin e Saliut, por ndryshe nga ai, që e la gjysëm zanatin, ka mbërritur në majën e tij dhe është mjeke popullore në gjithë vendin. Tani sharjet dhe fyerjet për to, pse pranuan të kandidojnë për socialistët vazhdojnë akoma, ndërsa demokratët qenkan gdhirë befas njerëz me edukatë dhe të kulturuar, dhe po kritikojnë Edi Ramën pse është tallur me Tritanin, Mesilën, Gridën, Nard Ndokën apo Salianjin. Mos ja bëni këtë Sali Berishës, se do t’u shpallë tradhtarë, kur t’ju vërë të shani me nënë e babë kundërshtarët, jo me humor si Edi Rama, dhe ju të hezitoni.
Dhe mbi të gjitha, mos ëndërroni të dukeni siç nuk jeni, se sapo iu dha një rast Edi Rama të dukeshit njerëz normalë, reagimi juaj tregoi çfarë jeni në të vërtetë: Agresivë, bullizues mediokër dhe natyrisht, idhtarë të gjuhës së dh unës së Berishës dhe jo ironisë së Edi Ramës.