Nga Adriatik Doçi

Lista e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës me emrat e kandidatëve për deputetë ka hedhur në ‘kosh’ jo vetëm Komisionin ‘Nishani’, duke kandiduar personazhet e përjashtuar, por rrëzon edhe vullnetin e bazës së Partisë Demokratike. Njerëzit më të kontestuar dhe të votuar kundër nga anëtarësia e Partisë Demokratike gjatë votimit të pretendentëve për kandidatë në vjeshtën e vitit 2020, Lulzim Basha, në vend që t’i largonte, i ka përfshirë në krye të listës së kandidatëve për deputetë.

A mundet që një personazh që nuk gëzon mbështetjen e anëtarëve të PD-së, të gëzojnë mbështetjen e votuesve në tërësi?! Ky paradoks shpjegohet me faktin që Lulzim Basha ka hartuar një listë mbi baza klienteliste, interesash dhe lobimesh të errëta.

Po kush janë kandidatët e Lulzim Bashës të kontestuar me votë nga baza e PD-së? Lulzim Basha dhe Sali Berisha ka vendosur ish-kryebashkiakun Xhelal Mziu, në krye të listës së kandidatëve për deputetë në Dibër. Gjatë votimeve në degën e PD-së në Kamëz, në tetor 2020, Mziu mori 268 vota kundër nga demokratët, një numër rekord që ishte një mesazh i qartë për kupolën e PD-së. Në Korçë, Basha ka kandiduar të katërtin Bledion Nallbatin, i cili mori gjithashtu një numër rekord votash kundwr në Devoll, gjatë votimit të kandidatëve në 7 tetor 2020, proces i cili u shoqëruar me përleshje, ku më pas kutitë u zhvendosën për numërim në Korçë.

Nallbati u votua kundwr nga njerëzit e ish-deputetit të PD-së, Hekuran Hoxhallit. Edhe ky u fundit u skualifikua nga votat e njerëzve të Nallbatit. Megjithatë, Basha ka vendosur të kandidojë në Korçë Bledion Nallbatin, i cili jo vetëm nuk gëzon mbështetjen e demokratëve, por është kthyer në protagonist i incidenteve në degën e PD-së në Korçë. Lulzim Basha ka kandiduar të shtatin në Durrës, Igli Carën, i cili i shpëtoi për pak përjashtimin në tetor 2020, për shkak të votave masive kundër të demokratëve.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha, ka përjashtuar nga lista Florion Mima, Fatbardh Kadillin dhe Eno Bozdon, të cilët u konfirmuan nga Këshilli Kombëtar si më të votuarit në garën për zgjedhjen e kryesisë së partisë. Nga ana tjetër, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë injoruar edhe komisionin ‘Nishani’, duke vendosur në krye të listave kandidatë të përjashtuar. Tritan Shehu, i përjashtuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është vendosur në krye të listës në Gjirokastër. Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave pati përjashtuar nga gara edhe ish-deputetin Ervin Salianji, të cilin Lulzim Basha e vendos të tretin në Qarkun e Korçës. Basha ka sfiduar Komisionin edhe për Luan Baçin, i cili ndonëse ishte përjashtuar, e ka vendosur të katërtin në Fier.

Jashtë kualifikimeve të Komisionit dhe vendimmarrjeve të strukturave të partisë, Basha ka përfshirë edhe Lefter Maliqin të shtatin në Berat. Basha ka vendosur në krye të listës së kandidatëve për deputetë në Lezhë, Mark Marku, në konflikt interesi, pasi Marku ishte anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Kandidatëve./shqiptarja.com