Kryeqyteti vijon të mbetet i kuq, pasi Partizani triumfoi sërish përballë Tiranës. Djemtë e drejtuar nga tekniku Daja zhvilluan një ndeshje perfekte në aspektin taktik, duke shfrytëzuar të gjitha shanset që i ofroi loja. Partizani kaloi në avantazh me Belica, i cili mposhti me kokë portierin Bekaj. Festa e të kuqve nuk zgjati shumë pasi 10 minuta më vonë, në 39-ën, Tirana barazon shifrat me anë të Hoxhallarit, i cili realizoi një gol fantastik me goditje dënimi.
Pas minutash të tëra, të luajtura me intensitet nga të dyja ekipet kryeqytetase, Jurgen Bardhi, finalizoi një aksion shumë të bukur, duke kaluar në epërsi të tijët. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me festën që ishte e gjitha e kuqe. Me këtë fitore Partizani pozicionohet në vendin e dytë, me 42 pikë, po aq sa dhe Teuta dhe Vllaznia e vendit të tretë dhe të katërt. Ndërsa Tirana e gjen veten në vendin e pestë me 35 pikë. Në krye qëndron ekipi i Laçit. Kurbinasit mposhtën me rezultatin 2-0 Skënderbeun e vendit të fundit. Më poshtë, do të gjeni momentet më pikante të sfidës Tirana – Partizani, fotot janë mundësuar nga LSA.