Rrugëtimi dhe kthimi pas në kohë me anë të fotove jo vetëm që të kthen kujtime, momente, por të jep shumë emocione. Ndaj programi “Dola te Ola” është preferuar shumë nga publiku dhe është pritur mirë, pasi zbulon më shumë rreth jetës së vërtetë të të ftuarve. E teksa në studio shfaqen foto me familjarët e Jozefina Topalllit, ajo tregon se humbja e nënës së saj erdhi për shkak të Covid-19.
Ish-kryeparlamentarja në muajin shkurt në rrjetin social “Facebook” njoftoi për humbjen e nënës së saj, por pa zbuluar shkakun e humbjes së njeriut më të shtrenjtë për të. Ndërkohë, rrëfen se edhe pse vetë e kaloi Covid-19, nuk e pati aspak të lehtë.
Jozefina me dhimbje dhe nostalgji tregon se ka patur një lidhje shumë të ngushtë me nënën, “Ka qenë një grua me kurajë të madhe, ka qenë kolona e shtëpisë”.
Kryeparlamentarja kujton që me motrën dhe vëllain ka kaluar një kohë shumë të bukur, kanë qenë shumë të lidhur dhe të pandarë deri në momentin kur ata kanë emigruar.
Tanimë, si të gjithë, mezi pret të largohet pandemia që të takohet me ta. E teksa flet me shumë dashuri për familjarët e saj, ish-kryeparlamentarja jep një mesazh shumë të bukur, “Nuk ka forcë më të madhe se sa familja”.