Aktori i madh, Robert Ndrenika, iu përgjigjet kritikëve që e akuzojnë për përfshirjen në fushatën e Partisë Socialiste, pas videos së publikuar sot nga kryeministri Edi Rama, ku shfaqej edhe ai, duke dhënë një mesazh në ditën e parë të nisjes së fushatës elektorale.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, aktori Ndrenika shprehet i habitur për zërat kundër, teksa e nis reagimin e tij me shprehjen “O Zot çfarë çudirash ndodhin në këtë botë”. Ai ndalet te rasti i korrespondentit nga Londra, Arben Manaj i cili shkruante më parë “Pse u korite o Bert Ndrenika”.
Mesazhi i Robert Ndrenikës:
O Zot çfarë çudirash ndodhin në këtë botë! Djali i shokut Ali Manaj më shan se paskam bërë një spot për fushatën elektorale. Nuk jam kundër, por vetëm se më shan nga Londra… Nga ore nga ? Nga Londra! Në vitet 1967 dëgjova emisionin e fundit të Radio Londrës në gjuhën Shqipe …U mërzitëm se menduam që Anglia nuk po na përfill si popull. Dhe sot ky ga…ruci më shan nga Londra!
Nuk do kisha thënë as gjysëm fjale po të më shante nga Pheniani se kështu do të preheshin të qeta eshtrat e shokut Ali Manaj (sekretar i parë në Gjirokastër) Perëndia të më ndjejë!
***
Reagimi i gazetarit Ben Manaj:
Sapo pashë videon e re të Edi Ramës për fushatën ku Robert Ndrenika aktron dhe ka kolonen zanore!
Po ke qenë deputet i PD, o artist i madh dhe ja ku te katandisi Politika e ditës, duke të pështyrë tërë atë karrierë dhjetra vjeçare!
Ti je artist i të gjithëve dhe jo i gjysmës dhe po të kishe pak me shumë dinjitet dhe sikur të mos kishe majftueshëm të ardhura në këtë fazë të jetës, të jesh i bindur që shqiptarët do të dhuronin miliona për ty, por ti nuk e ke dash veten dhe re në këtë batak si njeri, sepse si artist ne dhe gjithë shqiptarët të duam dhe nuk do të hedhim poshtë sepse s’ka se si!
Një minutë i duhet burrit të korritet!
Keqardhje!