Vaksina anti Covid e prodhuar nga kompania farmaceutike Novavax është 96% efektive në parandalimin e infeksioneve nga lloji origjinal i koronavirusit të ri. Mediat e huaja bëjnë me dije se në një provë klinike përfundimtare të kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ka rezultuar se vaksina është 96% efektive.
Gjithashtu vaksina është pothuajse 86% efektive në mbrojtjen nga varianti më ngjitës i virusit i identifikuar së pari në Mbretërinë e Bashkuar dhe tani i përhapur në vend. Ndërkohë deri më tani në një provë klinike të zhvilluar në Afrikën e Jugut, rezulton se vaksina është vetëm rreth 55% efektive, ndaj variantit të ri afrikan i cili është më ngjitës dhe po përhapet në të gjithë botën.
Në të dy provat, vaksina ishte 100% efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes. Rezultatet e analizës përfundimtare të provës klinike britanike ishin kryesisht në përputhje me të dhënat provizore të lëshuara në janar, të cilat gjithashtu treguan se vaksina Novavax ishte 96% efektive kundër llojit origjinal të koronavirusit të ri dhe rreth 86% efektive ndaj variantit britanik.