Ditën e dielë në Shqipëri do të nisë vaksinimi masiv i popullsisë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa vizitoi ambientet e Institutit të Shëndetit Publik ku po ruhen vaksinat tha se nga dita e sotme do të fillojë shpërndarja e dozave në gjithë Shqipërinë.
Drejtoresha e ISHP, prof. Albana Fico bëri me dije se të gjitha llojet e vaksinave ruhen në kushte optimale, pasi janë marrë masat për fuqizimin e kapaciteteve të zinxhirit ftohës.
“Kemi vërejtur që nuk ka pasur asnjë problematikë në transportin e vaksinës deri në momentin e shkarkimit. Siç erdhën dje menjëherë u bë procedura. Kjo është një praktikë e jona e zakonshme, por në këtë rast kemi verifikuar çdo dozë që është në atë frigorifer. Ka ardhur në kushte optimale dhe kjo është shumë shumë e rëndësishme. Siç e shikoni ajo që ne vlerësuam në fillim, kapacitetet e zinxhirit të ftohtë, ne e jetësuam tani dhe kemi të gjitha mundësitë që çdo lloj vaksine ta ruajmë në kushtet optimale”, tha Fico.
Manastirliu u shpreh se sot nis edhe vaksinimi me Sputnik i të moshuarve, ndërsa dha edhe detaje për procesin që nis të dielë. “Sot fillojmë më të moshuarit. 5 mijë të moshuar do të vaksinohen me Sputnik. Nga dita e diele në do të vazhdojmë me fushatën tonë, duke bërë vaksinimin masiv të grupmoshave +70 dhe sipër. Nga sot do të fillojë shpërndarja në të gjithë vendin dhe do të mobilizohen të gjitha forcat tona të vaksinatorëve, janë 1100 vaksinatorë dhe ndihmës. Në pika të caktuara do të kemi edhe një vaksinim masiv, me çadra dhe Forcat e Armatosur për të siguruar që të kemi një mbarëvajtje të mirë dhe të shpejtë”, u shpreh Manastirliu.