Prej muajsh Anglia dhe gjithë shtetet përbërëse të Mbretërisë së Bashkuara zyrtarisht kanë qenë nën masa të rrepta karantimini ku slogani ka qenë “Qëndroni në shtepi dhe shpëtoni jetë njerëzore”.

Por nga sot, ashtu si edhe në Uells ditë më parë, edhe në Angli, banorët do mund të dalin dhe lejohen të takohen deri në gjashte veta dhe nga dy familje të ndryshme, ndërkohë që do lejohen edhe zhvillimi i aktiviteteve sportive në ambiente të jashtme.

Fushat e futbollit, tenisit, basketbollit apo edhe pishinat e jashtme mund të rihapen, ku e njëjta gjë vlen për fushat e golfit. Ndërkaq nga 12 Prilli mendohet se do rihapen pabet ,restorantet, kinematë, kafenet e palestrat dhe sallonet e bukurisë si dhe qendrat e mëdha tregtare të cilat janë momentalisht të gjitha të mbyllura prej muajsh.

Slogani “Qëndroni në shtëpi”, nga mesnata nuk është më në fuqi dhe kryeministri Boris Johnson thekson se gjithësesi “duhet të jemi ende të kujdesshëm”, duke përmendur rastet në rritje të infektimeve në Evropë, si dhe variantet e reja të Covid-19, të cilat kërcënojnë programin tejet të suksesshëm të vaksinimit në ishull.

Momentalisht mbi 30 milionë britanikë janë vaksinuar e barabartë me afro 58 për qind e të gjithë popullsisë. Të djelën Britania shënoi vetëm 19 vdekje nga Covidi, një rënie prej 42 për qind me një javë më parë, ndërkohë që infektimet janë 3800 në ditë nga 67 mije, në ditë që shënonte Britania para dy muajsh.