Ish-sekretari i Partisë së Punës së Shqiptare në kohën e Enver Hoxhës, Muho Asllani ka marrë vaksinën kineze kundër COVID.
Në një prononcim për gazetarin e ABC Leonidha Musaj, ai përgëzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ka bërë shumë mirë që i ka rregulluar marrëdhëniet me Kinën.
Asllani deklaroi se fillimisht ka hezituar ta bëjë vaksinën por më pas ka qenë i vendosur për ta marrë atë.
“Faleminderit shumë që po më mbani gjallë akoma. Jam 84 vjeç. Jam Muho Asllan Asllani. Kam qenë sekretar i parë i PPSH-së. Me kinezët kemi pasur marrëdhënie të mira. Kur u prishëm me BS, Kina na ndërtoi objektet që futëm njerëzit në punë. Bëmë objektet për t’u mbrojtur nga armiku I dukshëm.
Me thënë të drejtën. Patën faj disa njerëz të moshës së tretë që dikush e tha që kjo vaksina kineze nuk lejohet me e bërë ata që janë mbi 65 vjeç. Nuk e bëra se nuk e bënë as Italia, as Gjermania, as Franca.
Pasi u bënë analizat u binda që kinezët kanë vënë dorën në zemër dhe duan të na ndihmojnë përsëri. Edi Rama bëri shumë mirë që i përmirësoi marrëdhëniet edhe me Kinën, edhe me shtetet e tjera të perëndimit që na ndihmuan. A ka më mirë more. 100 shtete na dhanë ndihmë për pasojat e tërmetit. A ka më mirë që shumë shtete na ndihmojnë me vaksina pa pare. Këtë kinezen, Edi tha se i mori me pare. Sa janë 10 dollarë. Një gjilpërë. Dikur i kemi bërë pa pare sot i paguan shteti”, shprehet ai.