Teksa prezantoi Arben Pëllumbin, kandidatin e Partisë Socialiste për Tiranën në zgjedhjet e 25 Prillit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha disa lajme të mira për Njësinë 2.
Së pari Veliaj njoftoi se shkolla e re që që po ndërtohet në Qytet Studenti, në kuadër të projektit të 17 shkollave të reja në Tiranë, do të mbajë emrin e politikanit Bashkim Finos, i cili u nda nga jeta pas betejës me Covid 19.
“Kemi pasur një propozim nga grupi i deputetëve që shkolla e re të mbajë emrin e nderuar “Bashkim Fino”, të kryeministrit të bashkimit kombëtar në ato momente ku askush nuk fliste për bashkimin dhe u desh një bashkim si Bashkim Fino që të na bashkonte në momentin më të përçarë të gjeneratës së prindërve tanë në vitin ’97”, bëri të ditur Veliaj.
Gjithashtu drejtuesi politik i PS-së për Tiranën tregoi se së shpejti do të ketë edhe një rrugë biçikletash që të çon deri te Liqeni i Farkës, si dhe theksoi se në Sauk do të ndërtohen dy shkolla të reja.
“Në Sauk do ketë 2 shkolla, por do jenë në 2 anë të rrugës. Pra 9-vjeçare do jetë ai që quhet “Spitali i arabit”, është një fondacion që nisi në vitet ’90 dhe ngeli. Do ketë edhe një urë sipër, shumë të bukur, urë këmbësorësh. Dhe shkolla tjetër 9-vjeçare në një anë, dhe gjimnazi ku ka qenë parkingu i Policisë Ushtarake, që tani është bërë Akademia e Rendit”, shpjegoi Veliaj.
Më tej Veliaj tha se këtë javë do të votohet në Këshill Bashkiak falja e taksave vendore për hapësirën publike dhe detyrimet që anë pasur bizneset e vogla për t’u ardhur në ndihmë, pas situatës së vështirë që kanë kaluar me pandeminë.
Kandidati për deputet, Arben Pëllumbi falenderoi Veliajn për punën e bërë në Tiranë, ndërsa u premtoi të rinjve se do e “bezdisë” duke i kërkuar investime të mëtejshme për Njësinë 2.