Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti Zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të cilit i dhuroi “Kullën e Sahatit”. Zv/kryeministri Grubi kërkoi mbështetjen e kryebashkiakut që të bëhet pjesë e fushatës për ndërgjegjësimin dhe mobilizimin maksimal në procesin e regjistrimit të diasporës, proces i cili ka filluar më 1 mars dhe përfundon në 21 prill.
“Erioni është një figurë e dashur, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe për ata të Kosovës dhe diasporës. Pa asnjë dyshim që, thirrja e tij për regjistrim do ketë një impakt shumë të madh deri tek bashkëqytetarët tanë, të cilët jetojnë në diasporë”, theksoi zv/kryeministri i Maqedonisë, Artan Grubi.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi rëndësinë që ka procesi i regjistrimit dhe bëri një paralelizëm me Tiranën. “Kur morëm detyrën, në Tiranë kishim lagje të tëra që ishin populluar ndër vite, të cilat përdornin shërbimet, shfrytëzonin infrastrukturën, por regjistrimin e kishin në një qytet tjetër. Për këtë arsye nuk e dinim se sa banorë kishin lagje të caktuara, ndaj nuk buxhetonim dot mjaftueshëm për ndërhyrjet në infrastrukturë, nuk planifikonim dot shkollat e reja, për linja të autobusëve. Nëse regjistrimi është i rëndësishëm për një qytet, imagjino sa i rëndësishëm është për një shtet, ku të drejtat varen prej regjistrimit apo prej popullatës mbi 20%”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa, ai i ftoi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, që të regjistrohen, sepse duhen vetëm 5 minuta për ta kryer këtë proces. “I ftoj të gjithë miqtë, sidomos shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e jo vetëm ata që jetojnë në Shqipëri apo kudo në botë, të regjistrohen në faqen e censusit të Institutit të Statistikave të Maqedonisë së Veriut. Procesi zgjat vetëm 5 minuta dhe secili mund të regjistrojë veten, bashkëshorten, fëmijët, familjarët, prindërit – është një akt patriotik, që i garanton shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejta që janë fituar me shumë, shumë mund, me shumë djersë, madje dhe me shumë, shumë gjak”, nënvizoi Veliaj.