Projektet në infrastrukturë dhe vaksinimi masiv rikthejnë normalitetin në sezonin turistik të këtij viti. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kandidate për deputete e PS në qarkun e Korçës, ka zhvilluar një takim me banorët e Rehovës, e cila është një prej zonave më të vizituara së fundmi nga turistët vendas e të huaj. Rruga drejt përfundimit, Korçë – Ersekë, sipas Xhaçkës fuqizon ekonominë për familjet kolonjare dhe jep më shumë mundësi zhvillimi për të gjithë zonën.

“Po lidhim me infrastrukturë Kolonjën me pjesën tjetër të Shqipërisë, duke fuqizuar kështu ekonominë, duke u orientuar drejt biznesit turistik. Duam që ta lidhim më mirë ekonominë e zonës me një treg që shtrihet brenda dhe jashtë vendit. Kjo natyrë e mrekullueshme ofron bimë të jashtëzakonshme medicinale, ofron produkte shumë të mira ushqimore, si dhe vende të mrekullueshme për t’u vizituar nga turistët. Ne po ofrojmë infrastrukturën që i duhet turistëve për të ardhur këtu”, theksoi Xhaçka në takimin me banorë të Rehovës.

Sipas kandidates socialiste, shpëtimi i sezonit përmes vaksinimit masiv, i cili prej ditësh po vijin edhe në qarkun e Korçës do të sillte të ardhura të domosdoshme për ekonominë tonë dhe do të ishte fillimi i rikthimit në normalitetin e humbur.