Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore, Juliana Memaj, ka përshëndetur vendimin e marrë sot nga Kuvendi i Shqipërisë për ndryshimin e emrit të bashkisë në atë Dimal. Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka falënderuar deputetin Klosi që mbështeti këtë nismë
“Ia dolëm! Parlamenti zyrtarizoi emërtimin e të Bashkisë Dimal! Falë mbështetjes së deputetit Klosi, sot nis një kapitull i ri për bashkinë tonë, çka do pasohet nga një sërë nismash që do t’i japin vëmendjen e duhur potencialit turistik dhe ekonomik të zonës. Faleminderit qytetarëve që u bënë pjesë e konsultimeve publike dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak për mbështetjen e këtij vendimi historik”, u shpreh Memaj.
Zyrtarizimi i emrit të Bashkisë Dimal do të bëhet 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Për këtë proces u zhvilluan disa konsultime publike në njësitë administrative Ura Vajgurore, Kutalli, Cukalat dhe Poshnje, takime me ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe u votua në Këshillin Bashkiak.