Nga Plarent Ndreca/ 25 Prilli duhet të sigurojë ndryshimin përfundimtar të Shqipërisë, duke refuzuar rotacionin partiak!

Më 25 Prill nuk ka zgjedhje mes krahëve politik, nuk ka një garë reale, përveç asaj virtuale mediatike, portalesh e banaqesh televizive, si një dozë “droge” që i duhet medias për t’u mbllaçitur patjetër në një lajm, apo për ta krijuar me çdo kusht atë.

Më 25 Prill nuk është në zgjedhje reale opozita, ajo është larg, shumë larg asaj ç’ka vendi kërkon prej saj. Opozita jonë është kthyer në një grumbullim individësh rreth një sërë interesash, që rrethojnë një drejtues pa vizion, pa leadership, e që ripërtypin çdo thashethem të ditës, çdo ngjarje të mëhallës, çdo stërkalë që lë pas troku qeveritar dhe nxin edhe ato pak gjëra të pa nxira akoma në këtë vend.

Fatkeqësisht, ajo vijon të mbetet parapolitike, nuk ka asnjë sens përgjegjësie shtetërore, nuk ka asnjë sens patriotik kombëtar, për të mbuluar me hijëshinë e moralit të saj, çdo boshllëk që krijohet sekuencialisht në shoqërinë tonë. Thjesht pret aty, në rrotullimin e çakorduar pa asnjë vizion, për të ngopur barkun me çorbën e përditshme politike, e për të shtyrë ditën me politikën që në thelb nuk thotë asgjë. Nuk dëgjon gjëkundi asgjë, se si dinjitetshëm jepen alternativat për këtë vend, pa pështymë, pa thyerje këmbësh, pa sharje. Nuk sheh gjëkundi përgjegjësinë dhe durimin e atij që nuk ka qëllim të vetëm pushtetin, por marrjen mbi shpatulla të vendit.

Një opozitë patriotike nuk ka qëllim rotacionin me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo kosto, por të ndihmojë e mbështesë këtë vend, për stabilitet, punë, qetësi, siguri, bashkëpunim, duke treguar durim dhe lartësuar nëpërmjet sjelljes si një lojtar në stol, që pret gjithë dinjitet, kokëlart e forcë karakteri, ditën për të drejtuar Shqipërinë.

Më 25 prill, opozita nuk shkon për Shqipërinë në zgjedhje, kjo është e qartë! Ajo as nuk është e përgatitur dhe as nuk e mban dot peshën e Shqipërise, është shumë e madhe për të, thjesht shkon për të qënë në lojën e saj të vjetër, të zakonshme, të mërzitshme e rraskapitëse, në ruajtjen e atij estabilshmenti njerëzish e numrash që vetëm shqiptarëve nuk po ju vihen në shërbim.

Më 25 prill pra, ka vendim të fortë për të ndryshuar përfundimisht, por nuk ka zgjedhje mes krahësh, zgjedhja është bërë, qeveria është zgjedhur, është e njëjta qeveri me një mandat tjetër përpara!

Po a mjafton?

A i mjafton Shqipërisë tashmë thjesht një mandat qeveritar, për ta shtyrë atë në një proces transformimi të sigurt shoqëror e shtetëror?

Jo!

Pas 25 prillit, na duhet shumë siguri për çfarë kemi bërë, na duhet shumë drejtësi sociale, dinjitet njerëzor, qetësim mendor, vendosmëri për drejtësi profesionale, të palëkundur, por me mendje të kthjellët qytetare e jo skajesh apo ekstremesh.

Na duhet check and balance konstitucionale, psikologjike e sociale në këtë vend, që t’i japim fund ekstremiteteve që po na trullosin kokën, e s’lënë të qetë e të sigurtë për shumë kohë, asgjë të mirë të bërë me shumë mund në këtë vend.

Për këtë shkak, më 25 prill nuk duhet thjesht një mandat qeveritar, ai mandat është i fituar. Duhet mandat për të garantuar Shqipërinë, për ta bërë atë të dinjitetshme në çdo skaj të saj.

E për këtë na duhet Parlamenti i Shqipërisë!

Aty është Shqipëria! Nëse ajo sallë nuk i kthehet atributit kushtetues dhe dinjitetit historik, mandati i tretë do jetë një stafetë arritjesh të reja, por jo një fitore përfundimtare e Shqipërisë që tashmë ne kërkojmë.

Aty duhet kontributi i çdo mendjendrituri me ide të qarta, përparimtare, profesionale, konstitucionale, me zë dhe mendim individual të fuqishëm, brenda mazhorancës, jashtë saj dhe çdo institucioni kushtetues që kontribuon për këtë shtet. Parlamenti i Shqipërisë duhet të kthehet në tempullin e ruajtjes së vlerave dhe dinjitetit kombëtar, e jo në ngrehinën e kakarisjeve pa sens, pa iman e braktisjes së tij.

Parlamentit i duhen njerëzit që duan Shqipërinë, duan opozitën, duan të punojnë me të gjithë, të respektojë, t’i japë frymëmarrjen dhe shpatullën e duhur çdo pushteti, t’i garantojë hapësirën për përgjegjësi institucionale, t’i forcojë ato, por të jetë njekohësisht aty si garant i Shqipërisë, kur kushdo prej pushteteve tenton të kalojë balancat tona konstitucionale dhe shoqërore.

Parlamenti nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai është gardiani i shpirtit tonë konstitucionalist dhe i vlerave tona kombëtare si shqiptarë.

Më 25 prill vendoset mandati i një Shqipërie dinjitare e të sigurt, për të shtyrë të gjithë në një drejtim e kthyer Shqipërinë në një ushtri që shkëlqen, nën një vizioni që prin. Nuk jemi aq pak, sa për të mos dhënë secili një dorë në transformimin shoqëror, e jo vetëm qeverisës të këtij vendi, për të ecur të gjithë me një puls e me një sens, në bashkëveprim, përgjegjësi dhe kontroll reciprok.

T’a bëjmë opozitën duke u rraskapitur për bashkëpunim me ta, sepse ata janë ne, me të gjitha të metat e tyre, që janë të metat tona si shoqëri. T’i kthejmë numrat e nesërm opozitarë, numrat tanë për Shqipërinë.

Ky është mandati që duhet më 25 prill!

Më 26 prill, Shqipëria duhet të gdhihet jo thjesht me një qeveri të re, por me një mazhorancë ndryshimi, që aktivizon në shinat e qarta të vizonit të saj, të gjitha forcat lëvizëse të kësaj shoqërie, pa hequr dorë e liruar ndërkohë frerët e “kalit të karrocës” së punëve të përditshme qeverisëse.

Nëse më 26 prill nuk vendosim të sigurojmë ndryshimin e Shqipërisë, atëherë thjesht janë fituar zgjedhjet, është marrë qeveria, por nuk është fituar akoma Shqipëria, ajo do vijojë të presë me zemër në dorë një mandat tjetër 4 vjeçar!

*Opinion i botuar në 24 shkurt 2021