Edhe në rrethin e Matit e Krujës këtë javë ka filluar procesi i vaksinimit të grupmoshës mbi 70 vjeç. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në qarkun e Burrelit, mjekja Sheme Celami në një intervistë për Report TV u shpreh se pas marrjes së dozës së parë të vaksinës nuk ka patur ndonjë rast me komplikacione. ‘Procesi i vaksinimit po vazhdon shumë mirë. Të gjithë janë të kënaqur përveç një temperature. Aktualisht kemi grupmoshën mbi 70 vjeç, pasi kanë përfunduar ata mbi 80 vjeç. Gati 710 persona vetëm në Qendrën Shëndetësore të Burrelit.’- tha Drejtorja e Qendrës Shëndetësore Burrel Sheme Celami.

Sipas Drejtuesve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat të vaksinuar mbi moshën 70 vjeç janë rreth 710 persona ndërsa në rrethin Krujës ka vijuar prej 3 javësh procesi i vaksinimit ku deri më tani janë vaksinuar 2234 qytetare.

Shefi i epidemiologjisë pranë qendrës së Kujdesit Shëndetësor në Krujë shprehet se procesi i vaksinimi ka vijuar normalisht sipas protokollit dhe se ka pasur një rritje të kërkesës për vaksinim nga qytetarët.

“Vaksinimi po ecën mirë. Kemi mbaruar me fashën 90 vjeç plus. Jemi drejt përfundimit të fashës 80 plus dhe 70 plus. Kishte në skeptik në fillim. Tani skepticizmi nuk ekziston, të paktën tek stafi shëndetësor. Kërkohet me ngulm nga pjesa e mbetur e stafit shëndetësor, që është një pjesë prej 5-6 %”.- tha Ervin Karafili, shef i shërbimit të epidemiologji – higjienës pranë njvksh Krujë.

Nisur më 28 mars në Sheshin Skënderbej krahas vaksinimit në Tiranë, paralelisht procesi i vaksinimit po vazhdon dhe në rrethin e Sarandës, Durrësit , Fierit, Elbasanit dhe Gjirokastrës.