Spitali i ri rajonal i Fierit hap dyert për pak ditë ndërsa një numër i lartë mjekësh, infermierësh, laborantësh, imazheristësh e farmacistësh kanë aplikuar për të qenë pjesë e ekipit të tij.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se deri tani janë bërë 424 aplikime.
“424 aplikantë për Spitalin e Ri Rajonal të Fierit, që hap dyert për pak ditë, me një super ekip turko-shqiptar, një qendër jo vetëm shërbimesh ekselence shëndetësore, po edhe transferimi teknologjie e dijesh, e cila do të jetë edhe i pari shembull i autonomisë spitalore që do ta shtrijmë në krejt vendin gjatë mandatit të tretë”, tha Rama.
Spitali i Fierit po ndërtohet në afërsi të autostradës, me një sipërfaqe prej 50 000 metrash katrorë, 13 000 metra katrorë prej të cilave strukturë spitalore dhe me një kosto prej 70 milionë euro. Për ndërtimin e spitalit po punohet natë e ditë, me tre turne, i cili sipas premtimit të qeverisë turke, do të përfundojë brenda 3 muajsh.