Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri prezantoi gjatë takimit me banorë të zonës së Llonxës dhe lagjeve “Karabash” e “Partizani” projektin e ujësjellësit të zonës.

Një projekt i shumë pritur nga banorët e zonës për thuajse 30 vite dhe që ezauron në mënyrë definitive, problematikën e mosfurnizimit me ujë të këtyre zonave.

Gjiknuri u tha banorëve se tashmë projektet e nisura nuk do të ndalen dhe mandati i tretë qeverisës do të jetë ai i cili do të transformojë në mënyrë rrënjësore brendësitë e lagjeve, fshatrat dhe zonat periferike të Vlorës. Vetëm në këtë zonë të Vlorës për ndërtimin e ujësjellësit janë investuar 3 milionë dollarë dhe ky projekt do të finalizohet.

‘‘Na duhet të japim mesazhin e duhur edhe në Tiranë, që Vlora është me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën. Ka arsye për të bërë këtë gjë, nuk është çështje thjesht tifozerie politike dhe jo thjesht sepse ua kërkoj unë. Por, sepse praktikisht Vlora po ndryshon dhe të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimit të madh që ka përfshirë Vlorën. Të gjithë këto investime të mëdha përfshirë edhe investimin e madh për këto tre lagjet tuaja në lidhje me ujësjellësin, një problem i vjetër për shumë zona që nuk ka patur ujë, është një investim prej rreth 3 milionë dollarë i financuar nga qeveria shqiptare është dëshmi që ne nuk kemi mbaruar punë me Vlorën. Se e mendojnë disa që u bënë investimet e mëdha në Vlorë dhe mbetën lagjet e qytetit pa u trajtuar. Jo! Ne do të vazhdojmë që ti trajtojmë lagjet e qytetit të Vlorës vit për vit, ti trajtojmë me investime ashtu sikurse kemi nisur”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, Vlorës i duhet vizioni i një Kryeministri i cili di dhe dëshiron t’i japë një hov të rëndësishëm zhvillimor qytetit, e materializuar nëpërmjet investimeve strategjike për zhvillimin e të gjithë rajonit të Vlorës.

“Vlora ka një vetëm një zgjidhje, të vijojë rrugën e nisur, që investimet e nisura të mos ndalen në mes. Projektin e ujësjellësit ta vijojmë që edhe uji në shtëpitë tuaja të jetë i cilësisë më të mirë, por edhe projektet e tjera ti vijojmë me radhë e pak nga pak. I rëndësishëm është komunikimi me Kryeministrin dhe kemi shansin historik të bëjmë nëntë mandate në Vlorë. Shikoni rrugë e Lumit të Vlorës, se një pjesë e juaja e ka origjinën prej andej. Kush e mendonte pas njëqind vitesh se do të bëhej ajo rrugë. Do lidhej hyrja e Vlorës deri në Qeparo në bregdet, gjithë ajo krahinë që merr zhvillim, gjithë ai zinxhirë zhvillimi sepse Edi Rama e do këtë zonë, e vlerëson potencialet më të mëdha ekonomike dhe potencialin e zhvillimit të turizmit. Do të japë më shumë punësim edhe për të rinjtë, më shumë shërbime dhe ekonomi për bizneset vlonjate dhe kështu vjen zinxhiri i zhvillimit me më shumë të ardhura për bashkinë”, theksoi Gjiknuri.