Nga Artur Ajazi/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një mesazh për të gjithë punonjësit e administratës publike, por edhe efektivët e policisë dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura, shprehej se “ata duhet të mos kenë frikë nga “ndryshimi” dhe “të dalin të votojnë masivisht për ndryshimin”. Basha tha gjithashtu se “administrata shtetërore ka garancinë time se do trajtohen me dinjitet pas 25 prillit, nëse PD vjen në pushtet”.
I pyetur nga një qytetare se “çfarë masash e çfarë qëllimesh keni për administratën shtetërore” Basha tha se “zotit kryeministër i ka ikur mendja kur shef shqiptarët e bashkuar për ndryshim, administratës, çdo punonjësi të administratës, punonësi të policisë së shtetit, çdo pjesëtari të Forcave të Armatosura, të sektorit publik unë, unë dhe koaliconi ynë, i garantojmë se kush zbaton ligjin,kush kryen detyrat për të cilat i paguan taksapaguesi shqiptar, nuk ka pse të ketë frikë”.
Por a mund ti besosh “garancisë” që jep Basha sot, kur dihet se si veproi ai dhe ish-kryeministri, pasi erdhën në pushtet në 2005, a mund ti besosh “garancisë” së tij, kur dihet se brënda 90 ditëve të para të qeverisjes “Berisha-2”, ikën nga puna mbi 16 mijë vetë, specialistë dhe njerëz të shkolluar, duke u zëvëndësuar me militantë të pashkollë, të gjithë me dëftesa dhe diploma të blera. Si mund ti besosh “garancisë Basha”, kur ka 5 vjet që nuk kryen zgjedhje të lira në partinë e tij, kur ka 5 vjet që nuk mbledh njëherë kryesinë, nuk riorganizon dot partinë, që nuk zgjedh me votë të lirë dhe të ndershme kryetarët e degëve, por i emëron nga 3-4 herë në vit sipas interesave.
Si mund ti besosh “garancisë Basha”, kur ç’ka premton, propozon dhe deklaron në mëngjes, e bën hasha në darkë. Si mund ti besosh “garancisë Basha”, që ka 8 vjet që akuzon dhe presionon “oligarkët” dhe sot i ka miq për kokë, duke shtuar pronat dhe pasurinë, falë kontributit të tyre. Si mund ti besosh “garancisë Basha”, kur firmosi marrëveshjen e 17 Majit me Edi Ramën, dhe pas 30 ditësh e shkeli atë, dhe ju bind “babait të tij politik”. Si mund ti besosh “garancisë Basha”, kur mbajti për 3 muaj e ca njerëzit në “çadrën e lirisë”, dhe pastaj i përzuri ata duke i mashtruar sikur të mos kishte ndodhur gjë. Dhe faktet mbi Lulzimin nuk mbarojnë, aq sa edhe të vetët, kryesisht në rrethe po dalin hapur kundër retorikës boshe të kësaj fushate.
Natyrisht, “garancia” që nxiton tu japë Basha së fundmi punonjësve të administratës, është “pika e fundit” e programit bosh që ai ka prezantuar deri sot para shqiptarëve. Administrata e shtetit, nuk ka pse merr “garanci” nga një kryetar opozite, kur aktualisht ndjehet komode, e vlerësuar, dinjitoze, dhe e papërdorur nga qeverisja dhe kryeministri. Mjafton të kujtojmë “porositë dhe urdhërat” që jepeshin me sms për 8 vjet në qeverisjen “Berisha-2” për drejtorët dhe nënpunësit e administratës për të mbushur autobuzët dhe furgonët në mitingje, (madje edhe për nxënësit e shkollave) dhe të bindesh sa e garantuar është “garancia Basha”.
Shqiptarët nuk i kanë harruar, as skenat e dhunës dhe kërcënimet e Bashës,tek dilte në protesta me molotovë,ndaj efektivëve të policisë apo eprorëve të tyre, që edhe pse nën stres dhe goditje fizike, ata zbatonin ligjin. E si mund ti besosh “garancisë” së tij, kur edhe lulzimët e bazës, kanë 3 muaj që u bëjnë presion drejtuesve dhe nënpunësve të administratës me “largime nga puna, arrestime dhe burgime”, dhe që shumica e tyre madje flasin edhe nën emrin e kryetarit të partisë……Ndaj, është taktikë e vjetëruar kjo e “garancisë” zoti Basha, më mirë mendo diçka të re, por që do të duhet për 2025, në rast se akoma do të mbetesh ti kryetar PD-je…