Ambasadori i BE, Luigi Soreca, është pajtuar me thirrjen e kryekomisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibshit për partitë politike, që të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët që të zgjedhin kë ata dëshirojnë.
Me një postim në Twitter, Soreca shkruan se partitë politike në vend dhe kandidatët duhet të përqendrohen në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë.
Ai i bën thirrje aktorëve politikë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e KQZ-së.
“Ne pajtohemi me kryekomisionerin Ilirjan Celibshin. Partitë politike dhe kandidatët duhet të përqendrohen tani në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ne kemi besim në të gjitha institucionet përkatëse dhe politike të Shqipërisë. Aktorët të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e KQZ-së”, shkruan Soreca.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor vendosi se fleta e votimit do të jetë me numra dhe për të shmangur çdo paqartësi apo konfuzion të votuesve në ditën e votimit, në çdo qendër në mure do të afishohen postera të mëdhenj si edhe fletë palosje me qëllim informimin e çdo qytetari për numrin që i korrespondon çdo kandidati.
Më herët gjatë ditës së sotme, Celibashi bëri me dije se KQZ-ja ka kontaktuar me kompaninë sllovene CETIS fituese e tenderit për printimin e fletëve të votimit dhe e gjitha do të mbyllet brenda afatit 10 ditor, siç ishte parashikuar në kontratë.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim përshëndeti më pas këtë lajm, duke theksuar mbështetjen për KQZ “për të siguruar që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve të jenë të drejta, në kohë dhe transparente”.