Drejtuesi Politik i PS për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e Katundit të Ri në Elbasan. Në fjalën e tij, Balla tha se Katundi i Ri ka pritur mjaftueshëm për vëmendjen e qeverisë dhe theksoi se Elbasani ka peshën e një rezultati vendimtar në 25 qershor.

“Sot do marrim një vendim shumë të rëndësishëm. Sot do fillojmë punën për ta shndërruar Katundin e ri në qytetin e ri. Duhet që ta transformojmë tërësisht këtë zonë, që vetëm falë jush është bërë një pjesë e pandashme e qytetit të Elbasanit. Nuk është pjesë e njësisë administrative, duhet të jetë pjesë e qytetit të Elbasanit me të gjitha kriteret dhe standartet që ka një qytet. Është e pafalshme për ne në vitin 2021 ta kemi lënë këtë zonë larg vëmendjes. Mjaft ka pritur Katundi i ri, mjaft ka pritur ky popull. E vërteta kësaj radhe është që Elbasani ka peshën e një rezultati vendimtar për drejtimin që do të marrë Shqipëria, për atë që do duhet të jetë Shqipëria jo në 4 vitet e ardhshme, por në 10 vitet e ardhshme.

Përballë kemi një grup njerëzish Iliri, Monika, Saliu, Luli të cilët i kemi provuar. Tani le të më thotë ndonjëri prej jush: Këta janë ndryshimi që po vjen apo ai ndryshimi që mos ardhtë kurrë? Këta nuk e meritojnë, janë bërë bashkë jo se i duan të mirën Katundit të ri, jo se do vijnë të na bëjnë kanalizimet e ujërave të zeza, jo se do na rregullojnë ndriçimin publik, jo se do na rregullojnë ujin e pijshëm, jo se do na mbarojnë legalizimet, jo se do na bëjnë punët publike që kemi nevojë, por këta s’kanë asnjë lidhje me ne, këta kanë hallin vet. Saliu dhe Ilir kanë hallin e drejtësisë. Tani për kë do votojmë ne, do votojmë për Saliun dhe Ilirin, apo për Katundin e Ri?”, tha Balla.

Balla theksoi se kryeministri Rama e ka treguar veten me rezultate konkrete. Ai mori si shembull Bashkinë e Tiranës duke e krahasuar me kryedemokratin Basha, ku të dy ata kanë qenë në krye të kësaj bashkie.

“Edi Rama e ka treguar veten që është një Kryeministër, i cili ka dhënë rezultate konkrete kudo që ka drejtuar. Marrim Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës dhe të Lulit. Çfarë bëri Luli në Tiranë?
Në 2013 ndihma ekonomike këtu në Katund të Ri ishte 10-12 mijë lekë të vjetra. Çfarë mund të bënte një familje me 12 mijë lekë të vjetra? Unë nuk po them që është 100-fish më e lartë, por është 10-fish më e lartë. Është 120 mijë lekë. Minimalisht është 10 herë më e madhe. Nuk jam i kënaqur, nuk është e mjaftueshmë. Ne duhet të garantojmë pagën minimale 400 mijë lekë.”, u shpreh Balla.

Ai u ndal edhe te rasti i grevës së kontrollorëve në Aeroportin e Rinasit, ku theksoi se dikur Sali Berisha i vinte tritolin shtyllave të tensionit, ndërsa dje u u mungua të pengonte ardhjen e vaksinave.

“Këto janë zgjedhje që njerëzit duhet të bashkohen, jo të ndahemi sepse nëse ndahemi nuk kemi siguruar asgjë. Dy vitet e fundit jemi përballur me dy sprova që duhen 100 vjet që t’i kalojë një komb. Ne kishim dhe tërmetin përveç pandemisë. Do ju lutesha, kush nuk e ka bërë vaksinën, mos bini pre e mashtrimeve të Sali Berishës. Facebooku i Saliut është burimi i lajmeve të rreme më të mëdha në botë. Ajo që ndodhi në Rinas është shprehja më kuptimplotë e çfarë ata janë në gjendje të bëjnë.

Teksa në ajër ishte avioni me 100 mijë vaksina të tjera, njerzit e Ilir Metës dhe Sali Berishës vendosën të bllokonin fluturimet e Shqipërisë, që avioni me 100 mijë vaksina të mos vinte dje.

“Kjo është një e vërtetë që ne e kemi parë. Kur Saliu ishte në opozitë i vinte tritolin shtyllave të tensionit të lartë, dje dhe sot u mundua të pengonte ardhjen e vaksinave dhe fluturimet e Shqipërisë”, përfundoi Balla.