Ka përfunduar 13% e punës në rrugën Orikum-Dukat. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një inspektimi të punimeve atje tha se ky është një segment shumë i rëndësishëm për të lidhur dy bypass-i i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë.
“Vlora është kthyer në një kantier ndërtimi pasi është porta hyrëse në bregdetin e jugut shqiptar në rivierën shqiptare, ku vitet e fundit ka mjaft interes jo vetëm nga turistët vendas, jo vetëm nga turistët që vijnë shqiptarët e Kosovës apo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga e gjithë bota. Ne kemi pritur shumë turistë në këtë zonë, por sigurisht me problematikat që ka pasur infrastruktura e trashëguar, e cila duhet zëvendësuar me infrastrukturën e re që ne po ndërtojmë për t’i dhënë mundësi kështu jo vetëm vizitorëve, por edhe investitorëve të cilët e kanë të pazëvendësueshme çështjen e infrastrukturës”, u shpreh Balluku.
Në projektin e këtij aksi janë parashikuar ndërtimi i 5 ura, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat.