Drejtuesi politik i PS në qarkun e Tiranës dhe njëherazi kreu i Bashkisë, bën me dije se socialistët kanë fituar në njësinë numër 1. Në një deklaratë për mediat, Veliaj tha se PS ka fituar me 52.4% dhe se ka marrë më shumë vota se të gjitha forcat e tjera politike së bashku. Ai u shpreh se maxhoranca duhet të jetë e përulur në këtë fitore dhe se mandati i tretë, është një mandat për t’i bashkuar njerëzit.
“Ka qenë një natë e gjatë, 72 orë, por ja ka vlejtur, sepse ne kemi fituar në njësinë nr.1 me mbi 52.4% të votave. Ka qenë një fushatë fantastike. Kemi përmirësuar rezultatin. Është koha t’i rikthehemi më fuqishëm punëve në njësinë nr.1, besoj që mesazhi është i qartë për forcën tonë, pasi morëm shumë më shumë se gjithë të tjerët në atë njësi. Do të doja të kishim një tur zgjatje dore për ata që mendojnë ndryshe nga ne. Ne fituam sepse jemi shumica, pro na duhet ët jemi të përulur në këtë fitore. Është një mandat shumë i fortë për t’i bashkuar njerëzit dhe për të bërë shumë punë”, tha Veliaj.