Nga Ylli Pata/ Call center-ët e Partisë Demokratike kanë mbi dy javë që marrin privatisht njerëzit në telefon dhe u lodhin kokën me pyetjet: “A e doni Shqipërinë në BE, çfarë mendimi keni për Europën dhe a doni që Lulzim Basha t’ju fusë në Bashkimin Europian”.

E më pas edhe spoti i Bashës, ku shfaqet si magjistari që do ta fusë Shqipërinë në BE menjëherë, e më pas sot thotë se do të hapë negociatat me BE-në brenda 100 ditëve. Europa dhe integrimi europian është mirë që të jetë një temë e debatit të fushatës zgjedhore, madje do të ishte mirë që kjo temë të jetë shpesh objekt i diskutimeve në panele, institucione, shoqërinë civile, media, apo edhe nga opozita.

Çështja e BE-së, në një vend që beson kaq shumë tek Europa, ja vlen të ushqehet dhe të jetë në krye të axhendave politike. Mirëpo çështja është se realisht kjo temë është keqpërdorur aq shumë ndër vite, sa ka dalë mode, madje mund të thuhet fatkeqësisht që si retorikë i ka dalë boja. Edhe mënyra sesi shtrohet diskutimi në publik nga ana e Lulzim Bashës, duket se është gjetur një shteg, për t’i ikur temave të mëdha të debatit, siç janë panemia, rindërtimi, reforma në drejtësi etj.

Deklarata e “bujshme” e hapjes së negociatave brenda 100 ditëve është një logjikë e pakuptueshme, pasi tashmë është bërë e ditur nga krerë të ndryshëm të vendeve të BE-së se pas zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe atyre në Bullgari, që e përdorte Maqedoninë e Veriut si çështje elektorale, do të hapen Konferencat ndërqeveritare për të dy vendet, ndërkohë që hapja e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur një vit më parë në Konferencën e Zagrebit.

Megjithatë, duhet të thuhet se procesi i integrimit europian nuk ka qenë një çështje që ka bashkuar palët në Shqipëri, por një armë politike që është përdorur nga palët vetëm për të mos lejuar palën që është në qeveri të arrijë një sukses politik.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur realisht ishte e mundshme një rihapje e kësaj çështje, që erdhi nga ngërçi i çadrës apo edhe reformës në drejtësi, ku PD u rrezikua të përjashtohej nga PPE-ja, ishte po PD që loboi që negociatat të mos happen ne Ramën kryeministër.

Dhe ky lobim solli një përlasje e ecejakje dy palëshe në grupet e Bundestagut gjerman, ku PD dhe PS përplaseshin me njeri- tjetrin. Në fund Bundestagu miratoi një rezolutë të Komisionit të Jashtëm, ku integroi pika që të bashkonte të dyja palët. Shqipërinë në BE nuk mund ta fusë Lulzim Basha, apo ta largojë Edi Rama. Siç u bë e ditur gjatë vizitës së Ramës në Bruksel, si shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell, ashtu edhe komisioneri për zgjerimin, hapja e konferencës është një çështje kohe, pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

Brukseli pret që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një standard i plotësuar në rregullsi, por edhe në pranimin e rezultateve nga të dyja palët. Por a do ta kërkojë Basha hapjen e Konferencës ndërqeveritare nëse nuk bëhet kryeministër? Kjo është në fakt pyetja që kërkon përgjigje, madje të menjëhershme…