Nga Lorenc Vangjeli/ Dasmat mund të bëhen dhe vetëm me dy vetë dhe me një daulle të vetme. Në funeral kërkohen njerëz. Kërkohen shumë njerëz që dhembja të jetë peshë që ndahet në shumë supe. Në funeral, dhëndër është loti dhe heshtja është nusja. Këto dy stacione të jetës njerëzore kujtoi fundi i fushatës elektorale mes gëzimit të “kampionëve” të rikurorëzuar socialistë dhe humbësve të përsëritur demokratë. Por gjithë çfarë ndodhi në të dielën e fundit të prillit, ishte akti dhe fotografia e mbrame e dramës që kishte nisur shumë më herët. Që humbësi e shkroi dhe e vuri në skenë për llogari të fituesit. Minimalisht duke nisur që me djegien e mandateve. Opozita i hyri një aventure kamikaze dhe e hodhi vetën në erë në themel të sistemit. E shkundi dhe e çekuilibroi sistemin, por dhe u plagos rëndë deri në lëngatë. Tufa e çartur e radikalëve që e konsideronin qeverisjen regjim dhe molotovin mjet për dialog me qeverinë, nuk ishin në gjendje as të identifikonin tiparet reale të regjimit dhe as kishin idenë e përvëlimit të molotovit.
Delikatë si balerina të llastuara, me Lulzim Bashën në krye, gjithë opozita e shtyrë në aventurë, kërkoi të bëjë ndeshjen që i mungoi morali, përplasjen që i mungoi ideja, mohimin total që nuk shoqëroi pohimin qoftë edhe minimal. Me gjithë defektet skandaloze të demokracisë në vend, me gjithë deformimet e raporteve mes pushteteve, me gjithë ndërhyrjet në kushtetutë, si operacionet plastike në fytyrë të plakur apo tangat tek një grua në venitje, papërshtatshmëria e atij mjeti, budallallëku i atij akti, idiotësia ulëritëse e atij aksioni, ishte piedestali i parë nga i cili Rama pa mandatin e tij të tretë për herë të pare.
Bojkoti i zgjedhjeve lokale ishte kazma e qershorit që gërmoi gropën e prillit. E zhveshur nga çdo pushtet, e çarmatosur nga mundësia për të ndikuar në çfarë do lloj mënyre në vendimmarrjen e përditshme, pushteti lokal u bë karta që Rama e futi nën mëngë kur t’i duhej të luante poker qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë për fushatën elektorale.
Formulimi i listave për kandidatët e opozitës ishte më shumë një dhuratë e tepruar për Ramën sesa një karragjozllëk amatorësh. Mbi pesë mijë demokratë u sugjestionuan se mund të ishin deputetë, në një proces që në rastin më të mirë do të rrudhej në vetëm 70 e ca gra e burra që do të hynin në parlament. Gjithë të pakënaqurit nga luga cinike që ju afroi në gojë Basha, ishin skalioni i parë që e panë Ramën si mullixhiun që i fuste në shtratin e qejfit për inatin e Lulit.
Po kështu, distanca mes Bashës dhe Kryemadhit, më saktë mes PD-së dhe aleatëve të saj dhe partisë së tretë në vend, ishte shumë më e madhe se distanca e të dyve bashkë me Edi Ramën. Duke pasur frikë se mos tjetri i shkelte fshehurazi syrin kryeministrit, ata ishin të gatshëm më së pari të shqetësoheshin për ndarjen e pushtetit dhe jo për marrjen e tij. Një llogari e gabuar që duhet të turpërojë kalkulatriçen defektoze që e bëri. Nëntë qarqet pa mandat deputeti të LSI-së, që shkojnë diku tek 60-70 mijë vota opozitare të çuara dëm, mund të kishin ngjyrosur ndryshe gjithë Shqipërinë nëse do të llogariteshin edhe ato.
E fundit, por jo në fund, dy fytyrat e ndryshme të fushatës nuk linin shumë për të zgjedhur. Përballë tytytyve të makinave të Bashës që xhironin gomat rrugëve të Shqipërisë, ishte sirena e 127-ës së Blendit që xhirronte deri në 36 orë në timon me urgjencën e Ogertës.
Lista e faturës së humbjes do të jetë e gjatë dhe ajo do t’i çohet si llogari për t’u paguar Lulzim Bashës. Njeriut të dilemave që luhatej nga dëshira për të qenë i moderuar tek shtysa primitive për t’u shitur si i forte. Politikani pendul nuk bëri dot si duhet as njërën dhe as tjetrën. Lulzim Basha në dy vjetët e fundit u demonstrua si politikani opozitar më radikal i tre dekadave pluralizëm. Ai tejkaloi madje edhe vetë Berishën, modelin e tij, i cili, edhe kur ndezi Shqipërinë në 97-ën e bëri një gjë të tillë nga karrigia e pushtetit dhe jo nga llogorja e opozitës. Edhe kur në 98-ën, u soll si guerrilas amerikanolatin, nuk guxoi të shkojë më më larg se ideja e bojkotit të parlamentit dhe as nuk e çoi ndër mend djegien e mandateve. Ustai i vjetër dinte atë që Basha nuk mundi ta mësojë dot se pushteti në një vend evropian si Shqipëria dhe me sovranitet të kufizuar për të bërë idiotësi ndaj stabilitetit dhe të ndërvarur për të mos qenë plotësisht i pavarur, pavarësisht mijërave kusureve sovjetike e otomane të trashëguara, ndryshon vetëm me votë. Se edhe një kundërshtar autoritar si Rama nuk largohet me forcën e dhunës, por vetëm me refuzimin total të dhunës deri në ditën e votimit.
Java e parë mbas humbjes së zgjedhjeve është edhe më e rënda sepse është shumë e vështirë të shihet realiteti në sy. Në fakt opozita është fituesja reale e këtyre zgjedhjeve. Ajo u rikthye në sistem duke i dhënë Shqipërisë pushtetin e munguar të opozitës reale, legjitime dhe morale. Pjesa tjetër është histori që kërkon të shkohet thellë në histori për t’u kapërdirë. Sepse opozita kërkoi rezultat të ndryshëm duke përdorur të njëjtat mënyra ndeshjeje, të njëjtën filozofi politike dhe të njëjtët njerëz me të cilët humbi në 2017-ën. Kjo është thjesht e pamundur, por nuk është më e keqja. Sepse pavarësisht se Lulzim Basha, arkitekti gjenial i fitores së dytë dhe të tretë të Ramës, duhet të largohet i ndëshkuar për humbjen, ai ende mbetet zgjidhja më e mirë qoftë për demokratët, qoftë për socialistët. Me këta të fundit e ka të thjeshtë të merret vesh, kurse demokratët thjesht ndoshta duhet të presin. Edhe sepse nuk është e moralshme të qëllohet makina e funeralit në dasmën e tjetrit.