Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 4.4% përqind këtë vit, pas një tkurrje që pësoi vitin e kaluar me normën 3.3%. Në raportin ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor të Pranverës, projektohet se Shqipëria do të jetë e dyta që udhëheq rajonin pas Malit të Zi sa i takon kësaj rritje edhe pse prodhimi real i ekonomive do të mbetet në dorën e procesit të vaksinimit dhe e lidhur ngushtë me turizmin.

“Sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi dhe rindërtimi, pritet të jenë nxitësit kryesor rimëkëmbjes. Në vitet e ardhshme, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, duke mbështetur përpjekjet e rindërtimit”. Afërsisht 70 mijë vende pune u humbën në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2020, shumica në Shqipëri dhe Malin e Zi të ndikuara më së shumti nga turizimi. Numri i të varfërve që jetojnë me më pak se 5.5 Dollarë në ditë u rrit me 112 mijë, duke bërë që të jetë shifra më e lartë e regjistruar për rajonin.

“Që kur nisi pandemia afërsisht 336 mijë njerëz në rajon hynë në kufirin e varfërisë”. Banka Botërore i lë detyrë qeverive që të nisin reformat për uljen e borxhit publik. Në Shqipëri gjatë vitit të shkuar borxhi arriti në 77.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa këtë viti pritet të bjerë me 0.1 pikë përqindje. Banka pret edhe një rritje të lehtë të kredive me probleme në sektorin bankar gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Pandemia dha një nga goditjet më të mëdha në ekonomitë e Ballkanit, por për të gjithë vendet Banka Botërore pret një rikuperim të ekonomive të tyre me një normë totale prej 4.4%.