Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjuhën e tij thumbuese ndaj opozitës në deklaratat e tij duke thënë se është krenar dhe e konsideron si mënyrë komunikimi që vjen natyrshëm. Në emisionin “Open”, Rama tha se gjithcka që thotë është e vërtetë dhe kushdo mund ta konsiderojë satirë. Rama: Jam krenar se është mënyrë komunikimi që më vjen natyrshëm, por nuk është e panjohur në mënyrat e komunikimit në botën e lirë dhe demokratike. Ju mund ta quani satirë, por unë mendoj që është e vërteta, e thënë me një mjet komunikimi që mund të quhet satirë. Satira nuk është as e ndaluar, as e pakëshillueshme.
Sa i përket mungesës së reagimit të Bashës për deklaratat e Berishës për vaksinën kineze, Rama thotë se hesht pasi nuk është lideri i PD. Rama: Nuk e bën dot këtë. Por nuk ka rëndësi, secili bën atë që është më e udhës për të përcjellë mesazhin e vet dhe shtjellimin e panoramës. Pse nuk është e vërtetë që Basha nuk është lideri i PD?
Sulo: Pse mendon kështu? Rama: Jemi si e gjithë bota në kushtet e një lufte me një pandemic që kërkon respektimin e disa normave jo shumë të vështira, shumë të thjeshta madje dhe kërkon që të respektohen nga ata që kanë mundësi dhe japin shembullin e tyre si persona publikë. Ashtu sikundër është e padiskutueshme që nuk është një luftë partish, është një luftë për shëndetin që është mbi të gjitha partitë. Nëse në partinë time do dilte dikush e do të thoshte mos u vaksinoni se bëjnë dëm dhe nëse unë nuk do flisja, atëherë nuk do të isha në lartësinë e detyrës. Por nëse Saliu del e thotë që vaksinat janë vdekjeprurëse e ndalohen me protokoll për ata mbi 60 vjeç, që qeveria kineze i ka shkruar qeverisë shqiptare që të mos i përdorin dhe hesht e bën sikur s’dëgjon, kjo do të thotë se nuk është lideri i asaj partie.
Sulo: Ka dhënë mendimin e tij. Edhe Bushati nuk është dakord për atë që thatë ju dje në Shkodër. Rama: E para e punës nuk e di çfarë ka thënë Ditmir Bushati dhe këtu nuk po flas pse këtu thotë diçka, po flas për akte kriminale. Sulo: Ju keni 2-3 muaj që bëni diversion politik. Shembulli që morët është i ditëve të fundit. Rama: Të solla shembullin më të freskët.