Nga Artur Ajazi

Beteja elektorale e 25 Prillit, pa asnjë dyshim, do të jetë beteja e fundit mes vlerave dhe antivlerave, mes një epoke të grisur, dhe një epoke të re. Një betejë e cila do të përcaktojë, rrugëtimin final të vendit drejt Europës, dhe zhvillimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare. E ndërsa Partia Socialiste dhe Edi Rama, kanë arritur të mbajnë gjallë optimizmin e fitores, në kampin opozitar Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, akoma nuk arrijnë të qetësohen dhe kthjellojnë mendimin dhe programin e tyre elektoral.Në të vërtetë, ata janë bërë bashkë, por në të njëjtën kohë është e dukshme se nuk ndjehen mirë, nuk janë në gjendje të bëjnë për vehte, shoqërinë shqiptare në këtë moment, edhe pse thonë se “ne jemi ndryshimi”.

Opozitarët e Lulzim Bashës, janë duke bërë një fushatë që do tu kushtojë shumë në 25 Prill, pasi ata po përpiqen ta trajtojnë garën elektorale si një luftë për “jetë a vdekje”. Ata po përpiqen ta shohin 25 prillin si ditën e ndeshjes finale mes tyre dhe Edi Ramës.Për këtë kanë ndërtuar një skenar të caktuar të së keqes, duke dashur të krijojnë mendimin se “në këto momente Shqipëria po përjeton dramën e historisë saj”. Të parët që po e besojnë Lulzimin janë mbështetësit e tij, dhe të parët që do ta braktisin atë do të jenë pikërisht ata. Duhet thënë se pritshmëria e demokratëve ndaj kryetarit të tyre kësaj here ishte e madhe. Ishte pasi mendonin dhe besonin se, ai Lulzim Basha, nuk do ti zhgënjente, se kësaj here do të deklaronte ndarjen përfundimtare nga Berisha dhe berishizmi, nga teoria e dhunës dhe lista me emra të përfolurish.

Ai nuk doli dot nga skuta e Berishës. Ai edhe fushatën e ndërtoi hipur mbi makina, hipur mbi mure dhe bunkerë, duke ndjellë turmat e elektrizuara të mbështjellë me flamuj partie. Shqiptarët ndjehen të trembur nga fushata e Partisë Demokratike, nga aktet e dhunës dhe parashikimi për përkeqësimin e situatës në rast se Lulzimi vjen në pushtet.Kjo opozitë nuk përfaqëson prej kohësh ndryshimin por mjerimin, nuk përfaqësohet me vlera, por me antivlera. Pushteti mbetet synimi i çdo premtimi dhe fjalimi që mban dhe mundohet të përcjellë Lulzim Basha. Beteja e 25 Prillit, do tu tregojë shqiptarëve, të vërtetën mbi premtimet e mbajtura të Edi Ramës, dhe mashtrimet që kërkon të shpallë si “program qeverisës” Lulzim Basha. Kush takon dhe dëgjon kandidatët e opozitës, e kupton se shumica e tyre nuk kanë ambicje realizimin e premtimeve, por thjesht marrjen e pushtetit dhe fronin kryeministror të kryetarit të partisë.

Qysh nga momenti i krijimit, aleanca e opozitarëve, ishte dhe mbetet një çanak i ndotur, me përzjerje antivlerash, që nuk ja vlen të merret seriozisht. Atë që Edi Rama e koncepton si “transformim vlerash”, duke ndryshuar dhe pasuruar çdo 4 vjet ekipin me emra të rinj, Lulzim Basha e kupton si vazhdimësi të përjetshme, të atyre që e bënë atë kryetar partie, dhe që nesër do të mund ti japin atij postin e “kryeministrit”.