Nga Adriatik Doçi/
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, doli në pah një fenomen shqetësues, ai i votave të pavlefshme, pasi për herë të parë u aplikua edhe vota preferenciale për kandidatët, krahas partisë. Kështu, në përfundim të procesit të numërimit, janë shpallur 83 mijë fletë votimi të pavlefshme.
Shumica e këtyre fletëve votimi janë shpallur të pavlefshme, pasi votuesi ka votuar një subjekt politik dhe kandidatin e një parti tjetër politike, në të njëjtën fletë votimi. Në zgjedhjet e 2017 ishin 31 mijë vota të pavlefshme, ndërsa në zgjedhjet e 2013 ishin 24 mijë fletë të pavlefshme.
Ndërkaq, çështja e votave të pavlefshme ka nisur të kthehet në debat politik. Presidenti Ilir Meta, gjatë një konference sot për shtyp, kërkoi ekspertizë dhe rinumërim të numrit të votave të pavlefshme. Meta dhe opozita që humbi zgjedhjet, pretendojnë se një pjesë e fletëve të votimit, janë shpallur qëllimisht të pavlefshme nga disa komisionerë të shitur, pas aktit të votimit nga zgjedhësi.
Por, një analizë mbi shifra zyrtare, realizuar nga Report Tv, hedh poshtë këtë pretendim. Nga analiza rezulton se fenomeni i votave të pavlefshme është uniform i shtirë të gjithë Shqipërinë, fakt i cili rrëzon çdo dyshim dhe pretendim për ndërhyrje selektive dhe kriminale të komisionerëve.
Madje, në qarqet ku ka fituar Partia Demokratike dhe ku Partia Socialiste ka humbur mandat për një numër të vogël votash, përqindja e votave të pavlefshme është më e lartë se sa mesatarja kombëtarë, që është 5.3 %.
Konkretisht, në Lezhë, qark në të cilin ka fituar opozita, numri i votave të pavlefshme rezulton mbi mesataren, konkretisht 6.4 % ose rreth 5 mijë vota. Në Shkodër dhe Kukës, ku sërish ka fituar opozita, numri i votave të pavlefshme nuk ka qenë më e ulët, por sa mesatarja, 5.3 %.
Në Qarkun e Dibrës, ku PS-ja humbi mandatin e tretë për 300 vota, numri i votave të pavlefshme është 6.77 % ose 4.6 mijë. Në Elbasan, ku Partia Socialiste humbi mandatin e nëntë për 140 vota, numri i votave të pavlefshme është 5.8 % ose 9.7 mijë.
Në Berat kur ka fituar PS, numri i votave të pavlefshme është 6.5 %, por në Gjirokastër ku prapë ka fituar PS numri i votave të pavlefshme është 4.8 %, si në Durrës. Në Fier 5.1 %, në Korçë 6 %, në Tiranë 3.8 % dhe në Vlorë 4.4 %. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se keqkuptimi i votuesve në 25 prill që kane prodhuar një numër kaq të lartë i skedave të pavlefshme është uniformë në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, në qendrat e votimit dhe grupet e numërimit të votave (ku sipas dyshimeve të opozitës skedat janë manipuluar), opozita dhe mazhoranca kanë përfaqësim të barabartë komisionerësh, ku çdo ndërhyrje e paligjshme është e pamundur të bëhet pa bashkëpunimin e të gjithë anëtarëve. Po aq e pamundur është që të gjithë komisionerët e PD-LSI, në të gjithë Shqipërinë, të jenë shitur dhe implikuar në krim zgjedhor, siç pretendon Meta, aq më tepër që të kenë rënë në konsensus për një ndërhyrje me përqindje pothuajse të barabartë në të gjithë vendin. Ndërkohë sipas KQZ të gjithë komisionerët, pra edhe ata të opozitës, kanë nënshkruar procesverbale pa denoncuar asnjë manipulim.
Partia Socialiste pretendon se nga 83 mijë vota të pavlefshme, rreth 50 mijë prej tyre ishin nisur si vota për PS, por që janë vënë dy shenja në mënyrë të gabuar.
Presidenti Meta hodhi sot idenë e një ekspertize të shënimeve në fletët votimit të pavlefshme. Por, edhe nëse ekspertiza konfirmon se në një fletë votimit janë bërë shenja ‘x’ me dy stilolapsa të ndryshëm, është e pamundur të përcaktohet se cila forcë politike është vota në fjalë, pasi nuk mund të zbulohet se cili është shënimi i zgjedhësit dhe cili është shënimi i komisionerit të korruptuar.
Numri dhe përqindja e votave të pavlefshme sipas qarqeve
Berat, 5292 vota të pavlefshme, 6.5 %
Dibër, 4686 vota të pavlefshme, 6.77 %
Durrës, 7808 vota të pavlefshme, 4.8 %
Elbasan, 9775 vota të pavlefshme, 5.8 %
Fier, 9375 vota të pavlefshme, 5.1 %
Gjirokastër, 2317 vota të pavlefshme, 4.8 %
Korçë, 7375 vota të pavlefshme, 5.6 %
Kukës, 2188 vota të pavlefshme, 5.3 %
Lezhë, 4946 vota të pavlefshme, 6.4 %
Shkodër, 6114 vota të pavlefshme, 5.3 %
Tiranë, 18422 vota të pavlefshme, 3.8 %
Vlorë, 4730 vota të pavlefshme, 4.4 %
Mesatarja e votave të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë është 5.3 %./shqiptarja.com