Pandemia e COVID-19 shënon çdo ditë shifra rekord të infektuarish. Deri më tani në rang global janë shënuar 131,955,245 raste të infektuara, prej të cilëve 2,867,012 kanë ndërruar jetë ndërsa 106,272,977 kanë fituar betejën me sëmundjen, sipas worldometers.

Vendi më i prekur nga pandemia në të gjithë botën mbetet Amerika, e ndjekur nga Brazili, India, Franca, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar. Vendi më i prekur në Europë është Franca, e ndjekur nga Italia, Turqia, Spanja dhe Gjermania.

India shënon mbi 100,000 raste me COVID në 24 orë -India regjistroi të hënën rekord të rasteve ditore me koronavirus: 103,588. Është vendi i parë, pas Shteteve të Bashkuara, që shënon mbi 100,000 raste të reja në një ditë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri total i të infektuarve në Indi ka arritur tani në 12.6 milionë.

SHBA me ritme të shpejta vaksinimi!-Shtetet e Bashkuara kanë administruar më shumë se 165 milion doza të vaksinave kundër koronavirusit deri të dielën në mëngjes, ndërsa në vend janë shpërndarë afro 208 milionë doza, thuhet në njoftimin nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Vaksinimi në botë -Më shumë se 649 milion doza vaksinash janë administruar në të gjithë botën, e barabartë me 8.5 doza për çdo 100 njerëz. Ekziston tashmë një hendek i fortë midis programeve të vaksinimit në vende të ndryshme, ku shumë vende akoma nuk kanë raportuar një dozë të vetme vaksinimi.