Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai e bëri njoftimin gjatë një konference për mediat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në Bruksel të martën pritet të udhëtojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë viteve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.