Një valë e tretë shkatërrimtare po shkakton një numër të paprecedent viktimash në dy shtete fqinje, në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje. Në 24 orët e fundit, 51 persona humbën jetën në fqinjin tonë lindor, ndërsa Bosnja pësoi një “masakër”, me 80 jetë të humbura. Në të dy këto vende, kjo është shifra rekord e vdekjeve që prej fillimit të pandemisë.
Në të tilla kushte, pavarësisht kërcënimit, qytetarët në Sarajevë kanë dalë në masë në sheshe duke kërkuar largimin e menjëhershëm të qeverisë. Shumë prej tyre mbanin në duar pankarta me emrin “parazitë”. Në të dy këto vende, mediat vendase vendosin në dukje kontrastin midis dy vendeve më të suksesshme të rajonit nëpërmbajtjen e virusit dhe vaksnimin, Shqipëria dhe Serbia, në krahasim me to.
Në vendin tonë, deri ditën e djeshme janë shpërndarë 221 mijë vaksina, ndërsa procesi ecën me 20 mijë vaksinime të reja mesatarisht në ditë. Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht janë vaksinuar vetëm 15 mijë qytetarë, ndërsa vaksinohen në ditë 3 mijë. Në Bosnje, janë vaksinuar në total vetëm 7.400 mjekë. Vaksinimi nuk ka nisur ende për qytetarët.